Begaj: Bashkëpunim në progreset integruese euroatlantike

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë takimit që pati sot në Tiranë me homologen e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kushtuar vëmendje të veçantë bashkëpunimit mes dy shteteve, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik.

Në daljen e përbashkët për mediet pas takimit dypalësh, Begaj shprehu besimin për përmbylljen e shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës. “Ky është një veprim i vonuar, por me shumë rëndësi praktike, por edhe morale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Begaj vuri në dukje se askush nuk duhet të çuditet përse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.

“Kjo ka qenë dhe mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar”, tha ai.

 Kreu i shtetit shqiptar tha se “karakteri strategjik mes dy shteteve tona është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të gjithë rajonit”./ (4 shtator)

Osmani: Anëtarësimi në BE synim strategjik i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vuri në dukje se Kosova ka sërish nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, që ajo të jetë zëri i Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare, ku Prishtina nuk ka ende përfaqësim.

“Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare ku kemi interes shtetëror. Dua të falënderoj presidentin Begaj për angazhimin e tij të madh duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova të ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se përballë sfidave, dy shtetet duhet të qëndrojnë bashkë, të fokusuara drejt integrimit euroatlantik.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore dhe kombëtare që e bën bashkëpunimin tonë dhe lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme”, tha Osmani duke shtuar se kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vijon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe me orientim të qartë euroatlantik./ (4 shtator)

Nikolla: Integrimi evropian prioritet i parlamentit të Shqipërisë

Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Lindita Nikolla theksoi sot në fjalën me rastin e hapjes së sesionit të ri parlamentar se integrimi evropian ishte dhe mbetet prioritet i veprimtarisë së parlamentit. Ajo argumentoi se gjatë kësaj kohe, parlamenti ka vijuar të përmbushë përgjegjësitë e tij në kuadër të procesit të integrimit evropian në të tre funksionet e tij, ligjvënës, kontrollues e monitorues dhe zgjedhës.

Nikolla kujtoi votimin historik të muajit korrik, kur Parlamenti Evropian miratoi me një shumicë të qartë, me 536 vota pro, Raportin për Shqipërinë ku u vlerësua se Shqipëria mund dhe duhet të përmbyllë procesin e anëtarësimit në kohë rekord.

Nikolla tha se parlamenti forcoi rolin shqyrtues të përputhshmërisë së projektligjeve me standartet e BE-së duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar.

Komisioni për Çështjet Evropiane shqyrtoi dhe miratoi 11 projektligje, nga të cilat 6 prej të cilave synonin përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe paraqiti 29 amendamente me qëllim përafrimi.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian organizoi 6 takime periodike dhe ndërgjegjësuese mbi zbatimin e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit me Bashkimin Europian. Ndërkohë, për t’iu përgjigjur sfidave të negociatave, parlamenti miratoi më 16 mars disa ndryshime që do të rrisin rolin e tij në çuarjen përpara të agjendës evropiane./ (4 shtator)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.