Sektorët e mbështetur nga IPARD

Komiteti i Programit IPARD u mblodh më 28 prill në Pezë, 11 kilometra në jugperëndim të Tiranës, në një prej bujtinave të mbështetura nga ky program në lidhje me progresin e IPARD II dhe përgatitjen për çeljen e programit të ri IPARD III.

Takimi bëri bashkë përfaqësues të lartë të bujqësisë nga Komisioni Evropian, Delegacioni i  BE-së në Shqipëri si dhe aktorë nga të gjithë sektorët e linjës dhe sipërmarrjes private.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se IPARD II, programi i Bashkimit Evropian për mbështetjen e subjekteve në zinxhirin nga ferma deri tek agropërpunimi dhe zhvillimi i zonave rurale në Shqipëri po rezulton i suksesshëm.

Krifca informoi drejtuesit e programit mbi ecurinë e zbatimit të IPARD II, sukseseve dhe vështirësitë e këtij programi dhe asaj që solli në bujqësinë shqiptare duke hapur perspektiva të reja.

Ajo tha se qasja, orientimi i fermerëve dhe sipërmarrjeve që kanë zgjedhur të merren me një sektor të vështirë siç është bujqësia, drejt formalizimit, ekonomizimit dhe të bërit biznes sipas rregullave të BE-së, tregon se fermerët tanë, janë ata të parët që na kanë futur në BE.

Ishte pikërisht kjo bazë pozitive dhe angazhimi i qeverisë që ndikoi në vendimin e Komisionit Evropian më datë 9 mars 2022, me një buxhet grant shtesë (BE dhe qeveria shqiptare) me 146 milionë euro ose rreth 52 milionë euro ose 55% më shumë sesa Programi IPARD II mbështetje për bujqësinë shqiptare.

Instrumenti do të ndihmojë që të gjenerohen më shumë se 79 milionë euro investime private, të cilat do të prodhojnë vlerë të shtuar në bujqësi, blegtori dhe agropërpunim.

Kjo mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, do të injektojë në total mbi 225 milionë euro investime, nga 169,9 milionë euro që janë nën Programin IPARD II) në zonat rurale të Shqipërisë.

Lajtmotiv i IPARD II ka qenë vendosmëria për t’ja dalë me zhvillimin e këtij sektori.

“Fituam besimin e Bashkimit Evropian, ndaj dhe shtohen sektorët që do të mbështesim me IPARD III”, deklaroi ministrja./ (28 prill)

IPARD III investime në infrastrukturën publike për zonat rurale

Ministria e Bujqësisë vlerëson IPARD III si mbështetje në ndërtimin e një rruge të sigurt zhvillimi, ku bujqësia shihet e integruar si pjesë e një ekosistemi, që ofron shërbime pozitive për zonat rurale dhe përbën një gur themeli në zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë.

Krifca tha se “objektivi ambicioz i qeverisë është zhvillimi i një bujqësie të qëndrueshme, nën moton e objektivave të BE-së përsa i takon Agjendës së Gjelbër 2030, ku ne kemi angazhime serioze për rritjen e prodhimit organik”.

“Përtej masave të aplikuara në IPARD II, në këtë program mbështesim dhe inkurajojmë aktorët ekonomikë që të përdorin raca autoktone, të rivitalizojnë agrosistemet tradicionale, si për shembull ullishtet tradicionale, të rrisin sipërfaqet e certifikuara apo të shfrytëzojnë në mënyrë të qëndrueshme kullotat, burimet peshkore dhe të akuakulturës”, u shpreh Krifca.

Këto masa, vijoi ajo, janë pjesë e strategjisë së re të bujqësisë, dokument i cili drejton punën tonë për shtatë vitet në vijim.

Sipas saj, për herë të parë, përmes IPARD III, do të zbatohet qasja LEADER, një program që ka transformuar zhvillimin rural në Evropë.

Gjithashtu IPARD III do të ndihmojë për herë të parë edhe investimet në infrastrukturën publike në zonat rurale për të sjellë më pranë produktet bujqësore me tregjet ekzistuese, apo të reja që mund të ndërtohen në kuadër të kësaj mase.

Krahas masave të reja të përfshira në këtë program, janë parashikuar edhe sektorë të rinj, që marrin fokus kryesor të tillë si: sektori i Ullirit dhe vajit të Ullirit; bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.

Frank Bollen nga DG Agri i Komisionit Europian. Bollen e konsideroi një ditë unike takimin e Komitetit Monitorues të IPARD II, sepse siç tha ai, “është hera e parë që Komiteti i Monitorimit mblidhet në një zonë rurale dhe mund të shikojmë në realitet jetësimin e mbështetjes në investim”.

“Ju po vazhdoni të implementoni IPARD II me një ritëm shumë të mirë. Viti i kaluar nuk ishte vit i lehtë dhe kur kthejmë kokën pas, shohim ndryshimin dhe themi se po, ju ia dolët dhe ia arritët. Ky është një sinjal i mirëpritur. Ne besojmë se me angazhimet e përbashkëta do të arrijmë të implementojmë programin IPARD III me sukses. Ne do t’ju inkurajomë”, u shpreh Bollen.

Ndërsa Andea Vera nga Delegacioni i BE-së në vendin tonë, drejtues i programit të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, vuri në dukje se, “BE është donatori, mbështetësi dhe partneri më i madh i ekonomisë shqiptare dhe kjo është më e dukshme në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë dhe kjo falë programit IPARD, por edhe projekteve të tjera që kanë mbështetur start up-et në biznese apo programe të tjera”./ (29 prill)

Mbështetje 38 investimeve të reja në përpunimin e qumështit

Fermerët dhe sipërmarrësit përmes skemave mbështetëse dhe grenteve nga programi IPARD po rrisin investimet në teknologjitë e reja dhe modernizimin e fermave, si domosdoshmëri e avantazheve konkurruese në tregje.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur se, në sajë të mbështetjes nga programi IPARD II, sot 38 sipërmarrje kanë rritur standardet dhe kapacitetet e prodhimit në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Këto investime përfshijnë ndërtimin e stallave, pajisje dhe linja automatike mjeljeje, dhoma frigoriferike, linja përpunimi qumështi, ndërtim baxhosh, vendosjen e paneleve fotovoltaike, si edhe mekanikë bujqësore.

Pajisjet dhe teknikat e reja kanë rritur rendimentin e prodhimit dhe kanë ndihmuar në zvogëlimin e kostove për fermerët, gjithashtu pikat e grumbullimit të qumështit luajnë një rol të rëndësishëm duke ndihmuar fermerët e zonës që të shesin prodhimin e tyre.

Zgjerimi dhe zhvillimi i këtyre sipërmarrjeve ka ndikuar në nxitjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave në ekonominë rurale./ (30 prill)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.