Nga data 17 deri më 31 maj, Shqipëria mirëpret edicionin e radhës të Javës Kulturore të Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës që do të shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamzë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë).
Në çeljen e aktiviteteve u zhvillua në Tiranë një konferencë ku në fokus ishte identiteti evropian. Të pranishëm në ceremony ishin edhe Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Europës, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, autoritete shqiptare nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit dhe të ftuar të tjerë nga jeta kulturore, artistë, studentë.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ndërsa mori fjalën theksoi se “Java e Europës” synon të tregojë se “ku duam të shkojmë ne si europianë në këto kohë të pasigurta”.
“Do të dëshironim që Europën ta shihnim jo thjesht si një vend gjeografik, por ta shihnim si një përvojë, një përjetim që ne e ndajmë me njëri-tjetrin, si një imagjinatë kolektive”, tha Gonzato, duke shtuar se Europa duhet të shihet si një vend ku liria e shprehjes është e rëndësishme.
“Komuniteti i artistëve në Shqipëri solli më shumë se 200 propozime për aktivitete gjë që na e bëri shumë të vështirë zgjedhjen. Por në fund na u desh të zgjidhnim 11 projekte shumë të ndryshme, të larmishme artistike që do të ndodhin në 30 vende në 9 qytete të Shqipërisë gjatë dy javëve në vijim”, tha Gonzato.
Ambasadori nënvizoi se “Java e Europës” sivjet do të jetë një rrugëtim nëpërmjet arteve pamore, performancave, interpretimit, muzikës por edhe bashkëbisedimeve.
Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës, tha gjatë fjalës së saj, se të jesh evropian është një qasje e ndryshme për secilin prej nesh.
“BE ndodhi kur etërit tanë themelues, e kuptuan që na duhej më shumë se ç’ishte bërë në të shkuarën. Nuk është vetëm marrëdhënia jonë me të shkuarën, por edhe fakti që ne prirjen e kemi që të analizojmë momentet kritike, mangësitë, arritjet tona. Jo vetëm fakti që ne e studiojmë të shkuarën, por edhe qasja tejet kritike që ne kemi, na ka bërë që të ndërtojmë një gjë shumë unike”, pohoi Mogherini.
Rektorja e Kolegjit të Evropës pohoi se duhen nxjerrë mësime nga e kaluara, të cilat më pas duhet të përkthehen në norma, vlera, rregulla dhe sisteme institucionale në zbatimin e ligjit.
Java e Evropës në Shqipëri, me një program të pasur prej mbi 45 aktivitetesh, ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.
Artistë si Blerta Kambo, Olsi Hoxha, Redina Qose, Rona Nishliu, Gentian Doda, Lorin Terezi, Harlen Nikolli, e shumë të tjerë do të sjellin përmes muzikës, teatrit, filmit, ekspozitave, performancave dhe bisedave, një përjetim të thellë mbi çështje si identiteti, kujtesa, liria, përkatësia dhe dashuria.
Programi përfshin gjithashtu biseda me artistë, forume për dialog dhe reflektim mbi rolin e artit në shoqëri – duke shndërruar qytetet shqiptare në skena të hapura të mendimit kritik dhe krijimtarisë kolektive. (19 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.