Kalaja e Bashtovës, një nga stolitë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, është restauruar dhe rikthyer në jetë me mbështetjen e BE-së përmes EU4Culture. Kalaja e shekullit të 16-të është tashmë një hapësirë e gjallë për kulturën, turizmin dhe zhvillimin e komunitetit.
Ceremonia e Inaugurimit të Kalasë së Bashtovës mblodhi autoritetet vendore, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri, qytetarë dhe turistë si një mundësi për të theksuar rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore.
“Me restaurimin e kalasë duam të nderojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, por gjithashtu të krijojmë mundësi për turizëm të qëndrueshëm”, tha ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.
“Përmes programit EU4Culture, ne jo vetëm që po restaurojmë ndërtesa, por po krijojmë edhe mundësi për artistët, zejtarët dhe për angazhimin e komunitetit”, vijoi Gonzato.
Dita e hapjes së kalasë së Bashtovës u ideua me plot aktivitete dhe koncerte duke pasuruar jetën e zonës.
“Ne duam të krijojmë hapësira për të diskutuar, për t’u lidhur dhe për të qënë të hapur. Fantastike që një kala e cila u ndërtua për mbrojtje dhe për izolim, kthehet në një hapësirë për angazhim, për takime dhe për zbulime kulturore. Ne kemi nevojë për më pak mure dhe më shumë hapësira të tilla për komunitetet tona”, tha ambasadori Gonzato.
E ndërtuar në shekullin XV, kjo kala përfaqëson një pikë strategjike të lidhjes së Shqipërisë me Mesdheun.
Ministri shqiptar i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh se kalaja e Bashtovës jo vetëm që është rikthyer në identitetin e saj historik, por është pajisur edhe me një qendër moderne vizitorësh, e cila ofron informacion, shërbime bashkëkohore dhe kushte për aktivitete kulturore, edukative e turistike.
“Shembujt ndërkombëtarë na tregojnë se rijetëzimi i trashëgimisë është një investim me përfitime të shumta: kështjellat e Dalmacisë në Kroaci, ato të Pulias në Itali, apo të Greqisë fqinje janë shndërruar në atraksione që vizitohen çdo vit nga miliona turistë. Edhe Shqipëria duhet të jetë pjesë e kësaj harte, duke krijuar një itinerar të kalave shqiptare si një nga rrugët kulturore më të bukura të Ballkanit”, tha Gonxhja.
Kalaja e Bashtovës, me hapësirën e saj prej mijëra metrash katrorë, është e destinuar të kthehet në një qendër multifunksionale: do të zhvillohen koncerte, festivale, ekspozita, shfaqje teatrale, aktivitete edukative për fëmijët e të rinjtë, si dhe evente tematike ndërkombëtare.
“Ky moment është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, një model që duhet të frymëzojë edhe projekte të tjera të ngjashme”, tha Gonxhja. (30 gusht)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
