Kalaja e Bashtovës, rreth 70 kilometra në jugperëndim të Tiranës, një nga atraksionet kulturore më tërheqëse në vendin tonë, ku gjatë sezonit veror zhvillohen dhe një seri programesh artistike dhe festa, prej disa vitesh është pjesë e programit të restaurimit, si pjesë e projektit “EU4Culture”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se po kryhen ndërhyrje arkitekturore për restaurimin dhe plotësimin e qemerëve të tullës, restaurimin e bedenave të dëmtuar, restaurimin e shkallëve të gurit, si dhe ndriçimin artistik të mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre.
Punimet po kryhen edhe te zona e mureve, e cila po kruhet dhe do të pajiset një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur, si dhe plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike dhe mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme.
Bashkëpunimi me EU4Culture Albania dhe UNOPS Albania sjell rezultate të prekshme për ekonominë dhe komunitetet, turizmin dhe ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore e historike.
Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore.
Zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë omane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521./ (8 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.