Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas zhvilloi vizitë zyrtare në Tiranë ku pati takime me autoritetet më të larta shtetërore, presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ndërsa ishte e pranishme në nënshkrimin e marrëveshjes së huas me BEI-n për financimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit 8.

Gjatë daljes së përbashkët për mediet me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, Kallas u shpreh se objektivi për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane deri në vitin 2030 është një objektiv realist, por që bazohet në shtetin e së drejtës dhe kushtëzohet nga fakti nëse të dyja palët gjatë këtij rrugëtimi bëjnë mirë “detyrat e shtëpisë”.

“Jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe reformat e miratuara që duhen të vihen në zbatim”, shtoi ajo.

“Sundimi i ligjit është skajshmërisht i rëndësishëm, pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e BE, por edhe themeli i begatisë së një vendi sepse në rast se investuesit kanë besim tek sistemi juaj ligjor ata kanë besim të investojnë në ekonominë tuaj. Kjo është në të mirën e Shqipërisë, është realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama e cilësoi shumë pozitiv takimin ndërsa deklaroi se Shqipëria është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Ai solli në vëmendje edhe kalendarin shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Europian për mbylljen e negociatave për anëtarësim brenda vitit 2027.

Kryeministri shqiptar vlerësoi se mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk ka asnjë çështje të hapur.

Ndërkohë, në mjediset e MEPJ u lançua edhe sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen, i cili vjen në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje, të nënshkruar më parë, në dhjetor 2024, midis Shqipërisë dhe BE-së.

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi se Shqipëria mbështet çdo iniciativë që forcon aftësitë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe përballuar sfidat globale, gjithmonë në koordinim të ngushtë me partnerët transatlantikë.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, në fund të vizitës në Tiranë bisedoi me studentë, përfaqësues të think-tank-eve dhe Ambasadorë të Rinj Evropianë mbi “Të ardhmen e Sigurisë Evropiane: Roli i Ballkanit Perëndimor dhe Fuqia e Zërave të Rinj”. (8 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.