Qendra e vizitorëve, portë hyrëse në pasurinë e Butrintit
“Kengo Kuma and Associates” është shpallur të mërkurën fituese e konkursit ndërkombëtar mes katër studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit, 300 kilometra në jug të Tiranës.
Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
Juria ndërkombëtare e mbledhur shqyrtoi katër projektet finaliste për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit, portën hyrëse në këtë pasuri të UNESCO-s.
Katër studiot finaliste ishin, Kengo Kuma & Associates (Japoni), Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë), Philippe PROST / AAPP (Francë) si dhe William Matthews Associates (Mbretëria e Bashkuar)
Procesi i seleksionimit dyfazësh u organizua nga Malcolm Reading Consultants në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.
Konkursi me dy faza për qendrën e re të vizitorëve në sitin e Trashëgimisë Kulturore Botërore, të mirënjohur si atraksioni kryesor kulturor shqiptar falë monumenteve të tij të lashta dhe natyrës madhështore, u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim
Juria përbëhej nga Elva Margariti, ministre e Kulturës, Shqipëri; Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF; Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo Añón, themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO; Thomas Vonier, iIsh-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, partner i Chesapeake Strategies dhe Matilda Pando, kryetare e Shoqates se Arkitekteve te Shqiperise dhe themeluese e MATT Architects./ (26 prill)
Qasje unike arkitekturore e studios japoneze për Butrintin
I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.
Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se “qasja unike arkitekturore e studios japoneze do të jetë një vlerë e shtuar për Parkun Kombëtar të Butrintit”.
“Përfshirja e arkitektit të madh Kengo Kuma në rrugën tonë të transformimit rrënjësor të Shqipërisë është një tjetër konfirmim i përmbysjes së imazhit të vjetër të vendit tonë dhe i rritjes së një reputacioni dinjitoz ndërkombëtarisht”, theksoi Rama.
Ministrja e Kulturës dhe Kryetare e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, Elva Margariti ka theksuar se qendra e re e vizitorëve do të jetë një shembull arkitekturor dhe një deklaratë e pashoqe për vlerat e sitit dhe Shqipërisë, për të promovuar gjerësisht vlerësimin e thesareve të shumta kulturore dhe arkeologjike të vendit tonë.
Ajo ka nënvizuar se Qendra duhet të përcjellë Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të këtij siti të Trashëgimisë Botërore e të shërbejë si një forum edukues dhe vend-mbledhje për komunitetin, dhe si një qendër rajonale për turistët që të promovojë atraksionet e tjera kulturore dhe natyrore në afërsi.
Drejtori i Konkursit, Malcolm Reading është shprehur se ky vend historik paraqet një histori të ndritur të Mesdheut./ (27 prill)
Plani i Menaxhimit të Integruar për Butrintin
I ndodhur në jug të vendit, 20 kilometra nga Saranda dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë.
Butrinti të ofron një ndjesi të jashtëzakonshme hapësire, rezonance kulturore dhe bukurie pamore, që krijohet nga kombinimi i rrallë i monumenteve me mjedisin natyror të paprekur dhe mbresëlënës. Parku Kombëtar me shtrirje të gjerë është i pasur me kodra, liqene, këneta, moçale uji të kripur, ultësira, kallamishte dhe ishuj bregdetarë.
I njohur në mijëvjeçarë si një vend frymëzues, Butrinti lavdërohet tek Eneida e Virgjilit dhe te Letrat e Ciceronit për Atikun. Ndër objektet më të spikatura të sitit janë një teatër i lashtë epirot, një forum romak dhe një pagëzimore e hershme bizantine me një dysheme mozaiku të ruajtur mirë, si dhe monumente të tjera nga periudhat Helenike, Romane, Bizantine, Anzhuine, Venedikase, dhe Otomane. Zona është trefish e dalluar si Sit i Trashëgimisë Botërore, Park Kombëtar dhe Sit Ramsar*.
Qendra e re e vizitorëve, që pritet të ketë neutralitet karboni, parashikohet të ndihmojë në mënyrë thelbësore për menaxhimin e numrave në rritje të vizitorëve, që mendohen të arrijnë 400 000 deri në 2030.
Qendra e re, mbi 1 000 metra katrore, duhet të presë, mirëseardhë dhe orientojë vizitorët, të japë shpjegime për sitin, të përcjellë vlerat e jashtëzakonshme universale të një siti të Trashëgimisë Botërore dhe të jetë porta e Parkut të madh Kombëtar si dhe qendra rajonale për vizitorët për atraksionet e tjera kulturore dhe natyrore në afërsi.
Qendra do të jetë rreth 1,5 kilometra nga hyrja për në qytetin antik, në një vendndodhje të mahnitshme me pamje panoramike nga Kanali i Vivarit.
Financimi fillestar i projektit, prej 2,45 milionë USD, është siguruar tashmë dhe projekti ka një kalendar të përshpejtuar: ndërtesa e përfunduar pritet të jetë gati për përdorim në shtator të 2025-s.
Parku Kombëtar i Butrintit zë një sipërfaqe totale prej 8622 hektarësh dhe mbulon një sipërfaqe me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Mbi 1 200 lloje të ndryshme të kafshëve dhe bimëve janë regjistruar, dhe metodat tradicionale të bujqësisë mbizotërojnë ende, duke e rikthyer vëzhguesin në një mënyrë jetese të harruar prej kohësh në pjesën më të madhe të Evropës.
Më 22 korrik 2020, Qeveria Shqiptare miratoi Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030). Plani u hartua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (si bashkëpropozues) dhe ministritë e tjera të linjës, krahas institucioneve partnere si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM ose AdZM), Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, AdZM Vlorë, Porti i Sarandës, agjencitë dhe guidat turistike, institucionet e vetëqeverisjes vendore dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
Nëpërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar, Parku Kombëtar i Butrintit do të njihet si një lider global në menaxhimin e qëndrueshëm të vendeve të përziera kulturore dhe natyrore, duke u bërë qendra e një oferte turistike rajonale, duke ofruar një eksperiencë unike për vizitorët dhe duke përfshirë komunitetet lokale dhe institucionet kombëtare, që të shërbejnë si model për parqet e tjera kombëtare dhe objektet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Si i pari i këtij lloji, Plani mbështet strategjitë e qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, dhe është në përputhje me Axhendën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO./ (27 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.