Në Kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, u organizua ceremonia e mikpritjes së 32 studentëve nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar gjatë vitit akademik 2024-25.
Në ceremoninë e përurimit të Kampusit të Kolegjit, me seli në godinën “Liria” pranë Qytetit Studenti në Tiranë, mori pjesë ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuar me tri bursa për tre të rinj ekselentë shqiptarë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se ky brez i larmishëm, që përfaqëson 21 vende evropiane, do të ndihmojë në ndërtimin e urave që na duhen për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar.
32 studentët që janë pjesë e Kolegjit të Evropës, do të ndjekin studimet në fushën e Transformimeve Evropiane dhe Studimet e Integrimit (ETI)./ (9 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.