Tirana – Kolegji i Evropës është gati të hapë dyert për herë të parë në Tiranë, duke pritur 31 studentët e parë të përzgjedhur për të ndjekur ciklin e studimeve master.
Gjithçka është gati për të pritur studentët nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa, që nga java e fundit e gushtit, duke shënuar kështu fillimin e një kapitulli të ri në arsimin e lartë në Shqipëri.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu së bashku me rektoren e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini vizituan shtëpinë e parë të Kolegjit të Europës në Godinën “Liria”.
Gjatë kësaj vizite, ato vizituan mjediset moderne të kolegjit dhe u takuan me stafin administrativ, të cilët kanë filluar punën për të siguruar një vit të suksesshëm akademik për studentët nga vendi, rajoni dhe Evropa në këtë vit të parë të Kolegjit të Evropës në Tiranë.
Hapja e kampusit të parë të Kolegjit të Evropës në Tiranë jo vetëm që shënon një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe institucioneve evropiane, por gjithashtu hap mundësi të mëdha për studentët dhe akademikët nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian, dhe më gjerë.
Programet e studimit që ofron Kolegji i Evropës këtu në Tiranë janë me të njëjtat standarde si ato në Kolegjin e Brugge, duke siguruar një cilësi të lartë të mësimit dhe një mjedis të pasur multikulturor dhe ndërkombëtar për studentët.
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.