Brukseli – Komisioni Evropian ka marrë vendim për të ndarë më shumë se 380 milionë euro për realizimin e 133 projekteve të reja në gjithë Evropën në kuadër të Programit për veprimet mjedisore dhe klimaterike “Life”, duke përfshirë edhe 1,2 milionë për sigurimin e efikasitetit energjetik të objekteve ekzistuese banesore në Maqedoninë e Veriut.
Projekti është pjesë e përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për të harmonizuar politikat e veta me qëllimet klimatike dhe energjetike të BE-së deri në vitin 2030 dhe ka për qëllim të sigurojë një sistem shërbimesh për renovimin e objekteve banesore për sigurimin e efikasitetit të tyre energjetik.
Gjatë fazës pilot, do të subvencionohet renovimi i 200 shtëpive dhe apartamenteve në Shkup, Kumanovë dhe Koçani me qëllim të sigurimit të kursimeve energjetike dhe reduktimit të emetimeve të gazrave të dëmshëm. Për projektin nga BE-ja janë parashikuar pothuajse 1,20 nga gjithsej më shumë se 1,26 milionë euro të nevojshme për realizimin e tij, për të cilin afati i fundit është data 30 shtator 2027.
Renovimi i objekteve ekzistuese banesore në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me një ritëm prej rreth një për qind të numrit të tyre të përgjithshëm, që është shumë poshtë normës së rekomanduar të renovimit të BE-së prej pesë për qind.
Pritet që me projektin të tejkalohen sfidat lidhur me mungesën e shkathtësive, kapaciteteve dhe financave për zbatimin e planit kompleks dhe ambicioz për tranzicionin drejt energjisë së pastër. Parashikohet që me projektin të stimulohet investimi prej rreth tre milionë euro, kursimi i energjisë primare prej 3,75 gigavat orësh në vit, gjenerimi i energjisë së rinovueshme prej 2.976 gigavat orësh në vit dhe reduktimi i emisioneve të gazrave serrë për 3584,75 tonë ekuivalent dioksid karboni në vit. (21 tetor)