Balluku: Komisioni Evropian vlerësim real arritjeve të Shqipërisë

Zëvendëskryeministrja shqiptare, Belinda Balluku mori në dorëzim nga kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2023, të cilin e cilësoi si më pozitivin, ndërkohë që theksoi ecurinë e mirë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Balluku vlerësoi se ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve, por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë.

Nga korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, Shqipëria dhe Komisioni Evropian kanë zhvilluar fazën e parë përgatitore pas çeljes së negociatave, atë të shqyrtimit analitik të BE-së.

Sipas saj, raporti vlerëson se ka vijuar me progres të përgjithshëm zbatimi i Reformës në Drejtësi, ndërsa institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit tashmë janë funksionale. Po ashtu në raport vlerësohen rezultatet e arritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Balluku u shpreh se raporti i KE-së vlerëson po ashtu se Shqipëria ka ruajtur linjëzimin e plotë me qëndrimin e BE-së në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë./ (13 nëntor)

Soreca: Zgjerimi është kthyer sërish në axhendën politike të BE-së

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, ndërsa i dorëzoi qeverisë shqiptare progresraportin për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë u ndal tek paketa e zgjerimit që sipas tij, ndodh në një kontekst të veçantë që bazohet në dy zhvillime shumë të rëndësishme politike në kontinent.

“Zgjerimi është kthyer sërish në agjendën politike të BE-së, në një mjedis gjeopolitik që ndryshon shpejt, për të cilin BE-ja ka vepruar si e tërë fuqimisht, bashkë me partnerët më të rëndësishëm, duke përfshirë veçanërisht Shqipërinë”, tha ai.

“Ka tashmë një konsensus të ripërtërirë që një zgjerim i besueshëm mbi bazë meritash është shtytësi kryesor i transformimit, duke rritur sigurinë kolektive dhe mirëqenien tonë socio-ekonomike”, tha ai.

“Siç e tha presidentja Von der Leyen kur prezantoi Paketën për Zgjerim, ne duhet t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të punojmë për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe plotësimin e bashkimit”, u shpreh Soreca./ (13 nëntor)

Begaj: Vlerësojmë përpjekjet e KE për të përshpejtuar integrimin ekonomik të rajonit

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorin Luigi Soreca, i dorëzoi Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë edhe presidentit shqiptar Bajram Begaj.

Ky i fundit vlerësoi konkluzionet e balancuara dhe inkurajuese të Raportit të Komisionit 2023 për Shqipërinë dhe Planin e Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

Kreu i shtetit lerësoi, gjithashtu, njohjen nga Komisioni Evropian të ecurisë së proceseve të reformave në Shqipëri, në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Begaj./ (13 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.