Komisioni i posaçëm kundër dezinformimit në Shqipëri do të mbështetet nga Bashkimi Europian me një grup ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së.
Për këtë qëllim, BE-ja po zhvillon trajnime ku ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato theksoi se puna e komisionit të posaçëm nuk duhet të cenojë lirinë e medias në Shqipëri.
“Të gjitha nismat për t’u përballur me manipulimin e informacionit, si dhe sigurimin e lirisë së medias, nuk mund të jenë njëra në kurriz të tjetrës. Lufta kundër ndërhyrjes së huaj apo dezinformimit nuk ka të bëjë thjesht me rregullimin e medias në internet apo, më keq, me moderimin e përmbajtjes, por kërkon një qasje më të gjerë, që duhet të përfshijë përmirësimin e kuadrit ligjor për ndërhyrjen në proceset demokratike. Sa i takon transparencës dhe qasjes së gjerë, duhet të vazhdojnë konsultimet me shoqërinë civile, që është shumë e rëndësishme”, theksoi Gonzato.
Kryetari i komisionit kundër dezinformimit, Erion Braçe, tha se puna e këtij komisioni ka nxjerrë në pah mungesën e kuadrit ligjor që vendi ynë ka në raport me dezinformimin, si dhe formalizimin e mediave online.
“Jemi të papërgatitur në aspektin ligjor dhe të infrastrukturës për të adresuar dezinformimin dhe, kryesisht, sulmet kibernetike”, u shpreh Braçe.
Trajnimet do të shoqërohen nga një seri misionesh ekspertësh e do të trajtojnë tematika që synojnë të gjitha objektivat e përcaktuara me fokus në ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe dezinformimin si dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Draftaxhenda është hartuar dhe konsoliduar nga strukturat e BE-së në Tiranë dhe Bruksel. (28 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.