Takim konsultativ me kompanitë e huaja për portin tregtar
Rreth 30 kompani të mëdha ndërkombëtare erdhën javën e kaluar në Tiranë për t’u njohur me projektin inxhinierik të portit të ri tregtar në Porto Romano, Durrës, 35 kilometra në perëndim të Tiranës.
Takimi konsultativ për ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano, një nga veprat më strategjike për Shqipërinë dhe për rajonin mblodhi në një tryezë përfaqësues të një numri të madh kompanish dhe institucionesh financiare ndërkombëtare.
Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale si edhe zhvillimeve urbane e rurale.
Taashmë janë përmbyllur të gjitha fazat e rëndësishme të studimeve paraprake analizat ekonomike, përcaktimet inxhinierike, studimet mjedisore, si dhe vlerësimet socale dhe ato arkeologjike, nisur nga vendndodhja e projektit në zonën e Durrësit.
Përfaqësues të disa prej kompanive të huaja, të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, zhvilluan një vizitë edhe në terren.
Të shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, pjesëmarrësit konfirmuan interesin e tyre për çka do të jetë një nga veprat më strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin./ (6 shkurt)
Porti i Porto Romanos do t’i shërbejë edhe vendeve të rajonit
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në takimin konsultativ u shpreh se, projekti i portit tregtar të Porto Romanos, një nga veprat më strategjike për Shqipërinë e për rajonin, ka zgjuar një interes të madh dhe qeveria është e vendosur për ta jetësuar.
Ai vlerësoi prezencën e këtyre kompanive në këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare që, sipas tij, tregon jo vetëm interes, por edhe besim.
Kryeministri shtoi se “për ta bërë Shqipërinë vendin që meritojnë fëmijët tanë kemi nevojë për partnerë të duhur me eksperiencë që kanë treguar se çfarë janë të zotët të bëjnë”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku evidentoi se strategjia portuale e qeverisë shqiptare ka në fokus tre pika kryesore.
Sipas saj, synohet modernizimi i infrastrukturës së kompleksit portual në Porto Romano Durrës, që është një zonë industriale, e cila do të lidhet dhe me një hekurudhë prej katër kilometrash dhe sipërfaqja në dispozicion arrin në 60 ha për një zhvillim ekonomik të pakufizuar; zhvillimi i logjistikës dhe transportit detar si një shtyllë kryesore e Ekonomisë Blu si dhe pozicionimi i Shqipërisë si një vend strategjik në ndërlidhjen ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit të EJL.
Sipas saj, porti i Porto Romanos, nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Teksa vlerësoi rolin dhe ndikimin e madhe të këtij investimi në ekonomi dhe gjeopolitikë, Balluku tha se, kompleksi i ri portual Durrës-Porto Romano dhe Porti i Jahteve (që është porti ekzistues i cili trasformohet në në një port modern të marinës së jahteve) do të japë një zhvillim multidimensional.
Balluku bëri me dije se parashikohet një investim prej 390 milionë euro në këtë port, ku do të përfshihet një hapësirë nga 80 ha sot në 450 ha në dispozicion të portit të ri./ (6 shkurt)
Në Porto Romano edhe një port ushtarak në dispozicion të NATO-s
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, takimi konsultativ për të gjithë komponentët inxhinierikë, financiarë dhe juridikë të projektit, i hap më tej rrugën çeljes së garës ndërkombëtare për financimin dhe ndërtimin e portit të ri.
Në Porto Romano, krahas portit të ri, do të ketë edhe një port ushtarak, i cili do të vihet në dispozicion të NATO-s, duke marrë edhe vlerë gjeopolitike.
Projekti i portit të ri tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.
Përfaqësues të disa prej kompanive të huaja të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano vlerësuan punën e bërë për realizimin e këtij projekti.
Sipas tyre, porti tregtar në Porto Romano do jetë një nga veprat më strategjike jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin.
Romain Brieu, nga “Soletanche Bachy”, “Vinci Group”, nga Franca u shpreh se “kemi ardhur, sepse jemi shumë të interesuar për këtë projekt të Porto Romanos. Të gjithë duken mjaft të angazhuar në Shqipëri për këtë projekt, kështu që, po, është një shenjë shumë e mirë për ne. Jemi të prirur të marrim pjesë në tender dhe të përpiqemi në maksimum për këtë projekt”./ (3 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.