Zgjerimi i bulevardit balancon Tiranën
Një tjetër projekt ambicioz i bashkisë së Tiranës, ai për Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave në Bulevardin e Ri, nisi të enjten fillimisht me përzgjedhjen e studios fituese të konkursit ndërkombëtar.
Pesë studiot finaliste arkitekturore prezantuan në Tiranë vizionin e tyre për këtë projekt të rëndësishëm për kryeqytetin shqiptar.
Me Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave çelet zyrtarisht një epokë e re e transformimit të Tiranës, që këtë herë do t’i japë një zhvillim të ri zonës përgjatë Bulevardit të Ri.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se zgjerimi i bulevardit ka si synim balancimin infrastrukturor të Tiranës në anën veriore të saj, për t’u siguruar që qyteti të ketë dy qendra graviteti, sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin e Ri.
Ai argumentoi se tashmë që po merr zgjidhje edhe çështja e akomodimit të turistëve.
“Vitin e kaluar Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe kemi numëruar mbi 1 600 aktivitete. Ka lindur nevoja, jo vetëm për akomodim dhe ushqim, ku Tirana sot është kampion për hotelet e reja dhe restorantet mbresëlënëse, por edhe për hapësira ku mund të mblidhen konventa, kongrese, seminare, grupe të ndryshme të organizuara, kongreset e mjekëve, të inxhinierëve apo të urbanistëve”, tha Veliaj./ (13 prill)
Godinat e reja që do të ndërtohen te Bulevardi i Ri
Disa institucione të tjera që do të vendosen në zonën e Bulevardit të të ri në kryeqytet. Ato do të jenë godinat e Gjykatës së Lartë dhe Muzeut të Artit Modern “Moma”, përfshirë këtu edhe një ndërtesë të re administrative të bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu, bashkia po parashikon edhe hapësirën për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës. Me zhvendosjen e zyrave të administrative të bashkisë së Tiranës te Bulevardi i Ri, godina aktuale e bashkisë së Tiranës do të ruajë selinë tradicionale, ku do të bëhen pritjet dhe përcjelljet protokollare.
Në fund të Bulevardit të Ri do të ketë edhe një shesh ceremonial siç është sheshi “Nënë Tereza”./ (14 prill)
Përzgjidhen dy studio finaliste
Dy ishin studiot të cilat u përzgjodhën për një fazë tjetër vlerësimi nga juria ndërkombëtare, e kryesuar nga arkitekti i njohur italian Marco Casamonti, për realizimin e Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave, e cila do të jetë një ndër veprat e para publike të rëndësishme që do të vendoset te Bulevardi i Ri në Tiranë.
Juria ishte e ndarë mes studios italiane “Fuksas” dhe asaj çeke “Chybik+Kristof”, të cilave iu dha mundësia të paraqesin pas një muaji projektin e detajuar.
“Ishin dy projekte që e kapën vëmendjen tonë, sepse mendojmë se duhet të kemi një hap të dytë dhe fituesit janë Fuksas dhe Chybik+Kristof”, tha Casamonti.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjithashtu ishte pjesë e jurisë, tha se të gjitha studiot, edhe ato që nuk u shpallën fituese, janë të mirëpritura të marrin pjesë në projekte të tjera, të cilat do të kulmojnë me Polin e ri të Drejtësisë në zonën e Bulevardit të Ri.
“Plani ynë është të vijojmë në të njëjtën traditë edhe për punët e tjera, që duhet të bëjmë tek Bulevardi i Ri dhe shumë shpejt do të kemi thirrje dhe komisione të tjera për pjesën e Polit të Drejtësisë, për disa nga ndërtesat komerciale, artistike në atë që ne e quajmë një destinacion dhe një sektor Fin-Tech”, tha Veliaj./ (14 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.