Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, në përmbyllje të vizitës në Bruksel javën e kaluar, përfaqësoi Shqipërinë në një takim trilateral për herë të parë mes zyrtarëve të lartë nga Bashkimi Evropian, Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor, fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Më shumë se 100 pjesëmarrës morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga Komisioni Evropian, mes tyre përfaqësues nga 18 shtete anëtare të BE-së.
Dumani theksoi rezultatet konkrete të SPAK, të arritura në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Agjencitë e BE-së, në identifikimin dhe analizimin e komunikimeve të enkriptuara të përdorura për koordinimin e aktiviteteve të paligjshme.
Ky bashkëpunim ka çuar në arrestime të rëndësishme në Shqipëri dhe në gjithë Evropën, si dhe në goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare, përfshirë ato me lidhje në Amerikën Latine.
Ndërkaq, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ndërsa njoftoi për takimin e Dumanit i dha zë mesazhit të tij se vetëm një përgjigje e koordinuar mund të japë rezultate kundër rrjeteve kriminale që veprojnë globalisht. Sipas delegacionit të BE, ky mesazh u përforcua fuqimisht si nga përfaqësuesit e BE-së, ashtu edhe nga pjesëmarrës të tjerë.
Ata ranë dakord për nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë gjyqësor dhe policor, përfshirë ndarjen e inteligjencës, hetimet financiare dhe analizën, si dhe punën e përbashkët në ekipe të përbashkëta hetimore.
Po gjatë kësaj vizite, u organizua edhe takimi në një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel, Qendra Evropiane e Politikave (European Policy Centre), ku Dumani ishte i pranishëm së bashku me Giulio Vennerin, zëvendësshef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG ENEST), ku u vu në dukje roli kyç I SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut. “Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik,” u shpreh ai.
Venneri nënvizoi se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ndërtuara mbi arritje konkrete, forcimin e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj,” tha Venneri. (27 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
