Brukseli – Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili qëndron për një vizitë pune në Bruksel, sot së bashku me liderët e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor mori pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në një postim në platformën X pas takimit, Von der Leyen tha se të gjashtë vendet partnere nga Ballkani Perëndimor i përkasin Evropës.
– Kjo është ajo për të cilën po punojmë. Paralelisht, ne po afrojnë ekonomitë dhe tregjet e tyre me tonat me Planin tonë të rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin, tha Von der Leyen në postimin e saj.
Temat kryesore të drekës së punës ishin bashkëpunimi i ndërsjellë dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor i Komisionit Evropian, ku është krijuar një Instrument për Rritje dhe Reforma, me vlerë gjashtë miliardë euro, të destinuara për reforma dhe projekte që lidhen me sferën socio-ekonomike dhe të drejtat themelore.
Në drekën e punës me Von der Leyen, përveç Mickoskit morën pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Malit të Zi, Milojko Spajić, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krišto, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.
Mickoski këtë pasdite në Bruksel do të ketë takime edhe me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, me komisionerin evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore Oliver Varhelyi dhe me kreun e Drejtoratit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Gert Jan Koopman.
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryeministri shoqërohet nga ministrat për punë të jashtme dhe tregti të jashtme, Timço Mucinski dhe për çështje evropiane, Orhan Murtezani. (19 shtator)