Asnjë ndërhyrje në kursin e këmbimit valutor

Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në kursin e këmbimit valutor, pavarësisht rënies së euros.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko ka deklaruar se kanë monitoruar në mënyrë të vazhdueshme tregun dhe kanë vënë re që sjellja e tregut ka reflektuar kursin e këmbimit në mënyrë normale.

Sipas tij nuk kemi sjellje spekulative ose faktorë psikologjikë, të cilat të ndikojnë në kursin e këmbimit.

“Nuk kemi arsye për të ndërhyrë, por duhet bashkëpunuar me eksportuesit dhe ato industri që preken nga ndryshimi i kursit të këmbimit”, ka nënvizuar ai.

Sipas guvernatorit, rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave, po japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen.

“Inflacioni i lartë dhe mbi objektivin e bankës qëndrore është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, pasi gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre dhe vështirëson planifikimin e konsumit dhe investimeve në të ardhmen”, u shpreh guvernatori.

Banka Qendrore parashikon se, ritmi i rritjes ekonomike në vend pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023, por do të mbetet në territor pozitiv.

Gjatë kësaj kohe inflacioni do të shënojë rënie graduale për t’u kthyer në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024./ (5 maj)

Ibrahimaj diskuton me eksportuesit për zhvlerësimin e euros

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilloi të mërkurën një takim me disa nga përfaqësuesit e shoqatave të eksportit në sektorë kyç të ekonomisë.

Në fokus të këtij takimi ishte shqetësimi i eksportuese për shkak të rënies së euros në nivele më të ulëta historike të cilët  më herët i dërguan një shkresë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bankës së Shqipërisë, ku i kërkonin që të hetoheshin shkaqet e rënies dhe të ndërhyhej për normalizimin e situatës.

Ibrahimaj dhe eksportuesit diskutuan për efektet që po jep zhvlerësimi i euros në industritë ku ata operojnë, me qëllim marrjen e masave për reduktimin e kostove.

Ministrja theksoi angazhimin e saj dhe të stafit të Ministrisë së Financave për të adresuar sa më shpejt problematikat, në ndihmë të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë në këto kohë sfidash./ (3 maj)

Kursi i këmbimit, jo fenomen spekulativ

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, u ka kthyer përgjigje zyrtarisht eksportuesve, me anë të një shkrese ku në dijeni është vënë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Banka e Shqipërisë thotë se ka adoptuar dhe zbatuar prej kohësh një regjim fleksibël të kursit të këmbimit.

Banka thekson se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative. Kjo sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Sipas Bankës, forcimi i kursit duket së është — në tërësi — shenjë e progresit të bërë nga ekonomia shqiptare në drejtim të rritjes së bazës dhe vëllimit të eksporteve dhe jo premisë e dëmtimit të konkurrueshmërisë se tyre.

Banka e Shqipërisë gjykon se forcimi i kursit të këmbimit ka pasur një efekt tërësor pozitiv për ekonominë shqiptare.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3,00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 4,00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 2,00 %”./ (3 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.