Kuvendi në Shqipëri miratoi me 75 vota pro dhe 24 vota kundër projektbuxhetin për vitin 2025 që konsiderohet 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, duke planifikuar 822,7 miliardë lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 754,6 miliardë lekë.
Buxheti për vitin 2025 synon të përmbushë dy objektiva themelorë: Rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë; si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskalë në nivele pozitive.
Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit.
Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë, ose 6,2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën.
Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Për vitin e ardhshëm qeveria synon një nivel borxhi prej 55,8% të PBB-së, nga 56,3% që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024.
Gjithashtu sigurimi i një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, mbetet një prioritet i saj.
Buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërsa nuk parashikon rritje pagash. (4 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.