Komisioni Evropian mbështetje Shqipërisë në procesin integrues në fushën e bujqësisë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vazhdon punën për procesin Screening, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, për harmonizimin e legjislacionit vendas me acquis të BE-së për një bujqësi të qëndrueshme dhe më pranë me standardet evropiane.
Ministria e Bujqësisë bën të ditur se gjatë datave 17 e 18 korrik janë zhvilluar në Bruksel takimet shpjeguese për kapitujt 11 “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” dhe 13 “Peshkimi”, mes Komisionit Evropian dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shpjegimi i legjislacionit të përditësuar të Bashkimit Evropian si edhe të politikave koherente evropiane mbi Politikat e Përbashkëta Evropiane (CAP), Organizimi i Përbashkët i Tregut (CMO), bujqësia organike, ndihma shtetërore, pagesat direkte, vera, mekanizmat e tregut si dhe për Politikat e Përbashkëta të Peshkimit, grumbullimi i të dhënave, politikat strukturore të peshkimit, akuakulturën dhe planifikimin e hapësirës detare ishin në fokus të takimeve.
Komisioni Evropian ka theksuar mbështetjen për administratën shqiptare për forcimin e kapaciteteve dhe ftoi për propozime të mundshme gjatë takimeve bilaterale për integrimin e përshpejtuar.
MBZHR ka nënvizuar se do të vazhdojnë këtë proces, për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme shqiptare, përmes takimeve të cilat do të pasohen nga mbledhja e Nënkomitetit për Bujqësinë dhe Peshkimin, i cili do të zhvillohet në Bruksel më 5 dhjetor 2023./ (11 gusht)
Shqipëri-BE bashkëpunim për sigurinë ushqimore
“Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Politikat e Fitosanitetit” është Kapitulli i 12-të për të cilin autoritet shqiptare po bashkëpunojnë me ekspertë evropianë për përshatjen sipas legjislacionit të BE-së.
Në Bruksel është mbajtur takimi i radhës në javën e fundit të korrikut të drejtuar nga Simona Gatti, përfaqësuese e Komisionit Evropian dhe gjatë fundit të sesionit nga kryetari Marc Jorna, nga Adea Pirdeni, zëvendëskryenegociatore e Republikës së Shqipërisë dhe Arian Jaupllari, negociatori për Kapitullin 12.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian prezantuan një tablo të përgjithshme të legjislacionit bazë dhe atij të përditësuar të Bashkimit Evropian për çështjet në lidhje me Ligjin për Ushqimin, rregulloren e Transparencës, rregullat e higjienës, rregullat specifike dhe të kontrollit të produkteve të kafshëve, aditivët për ushqim dhe ushqimeve për kafshë, cilësia e farave dhe materialit mbjellës bimor, shëndeti i bimëve, platforma TRACES dhe kontrollet e importit.
Gjatë zhvillimit të takimit bilateral, parashikuar të zhvillohet në datat 9-13 tetor 2023, pritet që Shqipëria të tregojë statusin e saj aktual mbi gatishmërinë e kapaciteteve për të qenë pjesë e kontrolleve dhe organizimeve në Bashkimin Evropian./ (11 gusht)
Praktika franceze për investimet novatore në blegtori
Instalimin e paneleve diellore apo në infrastrukturën e nevojshme për ruajtjen e qumështit u kanë ardhur në ndihmë blegtorëve të malit të Çajupit në Libohovë të Gjirokastrës të zhvillojnë më tej blegtorinë dhe të sigurojnë më shumë të ardhura.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka vizituar një stan në majën e Çajupit ku janë instaluar panele diellore apo tanku ftohës i qumështit, një model që po punohet për ta shtrirë edhe në zona të tjera me Institutin Francez të Blegtorisë.
Vigan Dervishi, përfaqësues i projektit francez që po zbaton projektin në mbështetje të implementimit të teknologjive bashkëkohore në mbarështimin e blegtorisë dhe rritjen e prodhimit të qumështit, ka theksuar se projekti “Itinerare të gjelbra” i dedikohet tërësisht blegtorisë shqiptare.
Ai theksoi se projekti sjell praktikat më të mira franceze në blegtori që mund të përshtaten në Shqipëri me investime të vogla, por që mund të japin rezultate shumë më të mira.
Edhe në Korçë është instaluar një tanker ftohjeje me energji diellore për stallën e lopëve dhe sivjet kemi marrë rezultatet e para të kryqëzimit të deleve lokale me racën BMC (Blanche du Massif Central të Francës)./ (11 gusht)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.