Banka e Shqipërisë blen 170 milionë euro
Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023 ku ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5 % gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12,1%.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare, shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte.
Sejkoka deklaruar se Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit. “Ne ndërhyjmë për efekt të rezervës valutore, të çrregullimeve dhe për efekt të objektivave tanë ligjorë, siç është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar”, ka theksuar Guvernatori.
Sipas tij, luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta, duke sinjalizuar mundësinë e ekizstencës së çrregullimeve në tregun valutor.
Nëse këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë përkohësisht për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të euros për nevojat e rezervës valutore.
Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, kryesisht nëpërmjet ankandeve të planifikuara për rritjen e rezervës./ (7 gusht)
Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 3%
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun duke e mbajtur në nivelin 3%, normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00 % si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2,0%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp deklaroi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll.
Sipas tij, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve në vazhdim, edhe pse do të ketë një ngadalësim të lehtë si pasojë e ngadalësimit ekonomik në eurozonë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, si në vend dhe në botë.
Sejko ka nënvizuar se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare./ (8 gusht)
Inflacioni shënoi rënie në 3-mujorin e dytë 2023
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat, theksoi se inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një vlerë mesatare prej 4,6% gjatë tremujorit të dytë, duke rënë me pothuaj dy pikë përqindjeje nga tremujori paraardhës”, tha Guvernatori.
Sipas tij, kjo rënie pasqyroi normat më të ulëta të inflacionit të ushqimeve, dhe në veçanti të atyre të papërpunuara, dhe të inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor, dhe në veçanti të atij të naftës. Ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë të shportës së konsumit u shfaq më i qëndrueshëm.
Në aspektin makroekonomik, vijoi ai, ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve u ndikua më së shumti nga rënia e inflacionit të importuar, në pasqyrim të rënies së inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe forcimit të kursit të këmbimit.
“Presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të shfaqen relativisht të forta e të qëndrueshme. Këto presione ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit dhe mban të larta marzhet e fitimit”, u shpreh Guvernatori.
Sejko theksoi se, “inflacioni pritet të vijojë të bjerë gradualisht gjatë tremujorëve të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv gjatë mesin e vitit 2024, çka do të përcaktohet nga rënia e mëtejshme e inflacionit në partnerët tregtarë, si dhe nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në vend”./ (8 gusht)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.