STRASBOURG – Përmbytjet e mëdha që kanë prekur pjesë të Europës nuk janë anomali, por norma e së ardhmes së kontinentit, dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet të arrijnë një “bashkëpunim të paprecedentë” për të qenë më të përgatitura për katastrofa të tilla në të ardhmen, tha të mërkurën komisioneri i Komisionit Europian për situatat emergjente Janez Lenarčič.
Pas reshjeve rekord që në disa pjesë të Europës në një ditë ranë në sasi tre deri në katër herë më të mëdha se sasia mesatare mujore, përmbytjet prekën rreth dy milionë njerëz, dhe të paktën 16 prej tyre humbën jetën në Austri, Çeki dhe Poloni. Ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar. Në anën tjetër të Europës, në Portugali, zjarret po shkatërrojnë mijëra hektarë pyje, dhe të paktën shtatë persona kanë humbur jetën.
“Ekstremeve që dikur u dëshmuam një herë në jetë tani po ndodhin pothuajse çdo vit”, tha Lenarčič në Parlamentin Europian në Strasburg, gjatë debatit që u shtua në terminin në të cilin kryeministri hungarez Viktor Orban duhej të paraqiste presidencën e shtetit të tij të BE-së, çka u shty për shkak të përmbytjeve edhe në vendin e tij.
Komisioneri slloven tha se pasojat e ndryshimeve klimatike kanë bërë që të bëhen përditshmëri e banorëve të Europës, kontinentit që po ngrohet më shpejt se të tjerët, dhe që këto “tragjedi nuk janë anomali por norma e së ardhmes sonë të përbashkët”.
Lenarčič tha se BE tashmë ka mekanizma për t’iu përgjigjur situatave të tilla, siç është sistemi i paralajmërimit të hershëm të përmbytjeve Copernicus, i cili në ditët e fundit ka dërguar njëqind mijë paralajmërime, por që po zhvillohen mjete të reja.
“Duhet të bashkohemi, të arrijmë një bashkëpunim të paprecedentë”, tha komisioneri nga Sllovenia e cila vitin e kaluar gjithashtu përjetoi përmbytje shkatërruese që morën katër jetë. Ai nënvizoi se shtetet nuk mund të luftojnë vetëm kundër këtyre katastrofave dhe se duhet të krijohet rezistencë ndërkufitare dhe menaxhim i përbashkët i rrjedhave ujore.
Ai paralajmëroi se kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë se investimi në rezistencë për katastrofat e ardhshme. (18 shtator 2024)