“Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës është projekti më i ri në Shqipëri që synon të nisë një proces të hapur dialogu rreth angazhimeve të Shqipërisë për të adresuar çështjet kyçe që lidhen me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Projekti u paraqit nga auditorët ku formohen gazetarët e ardhshëm, në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Disa nga çështjet që do të trajtohen në program janë pronësia e medias e medias dhe gazetaria e pavarur, siguria e gazetarëve dhe shkeljet e lirisë së shtypit si dhe qasja në informacion.

Delegacioni i BE-së u shpreh i lumtur të bashkëpunojë me Këshillin e Evropës në lehtësimin e këtij dialogu midis të gjithë aktorëve të medias dhe qeverisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në nisjen e projektit u shpreh se ky projekt është një mundësi për një qasje të vërtetë të të gjithë shoqërisë ndaj reformave që Shqipëria duhet të miratojë në sektorin e medias.

“Të gjithë aktorët përkatës mund të bashkohen për të vendosur për modelin më të mirë që i përshtatet kontekstit shqiptar, duke u mbështetur nga praktikat më të mira dhe standardet e shteteve anëtare brenda Bashkimit Evropian. BE-ja është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në këtë detyrë komplekse”, theksoi Gonzato.

“Nuk ka rrugë drejt integrimit në BE pa lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”, u shpreh Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato. (3 shkurt)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.