Shqipëria kontribut për ruajtjen e paqes

Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid zhvilloi të premten një vizitë zyrtare në Tiranë ku zhvilloi takime me zyrtarë të nivelit të lartë, parlamentarë, staf të OSBE-së dhe aktorë të tjerë në Shqipëri.

Sekretarja e Përgjithshme u takua me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka,  me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetë, përfshirë përfaqësuese të Aleancës së Grave Deputete, si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.

Duke u ndalur tek procesi i zgjedhjeve lokale të 14 majit, Begaj  vlerësoi ekspertizën e OSBE/ODIHR dhe theksoi se si President i Republikës do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, që jo të kemi thjesht zgjedhje më të mira se paraardhëset, por ato të përmbushin standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon.

Në këtë linjë, Kreu i Shtetit përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që misioni i OSBE-së në Ukrainë po luan në këto momente agresioni të pashembullt, të pajustifikuar e të paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen./ (24 mars)

OSBE partnere e besuar për Shqipërinë

Lufta në Ukrainë ishte një prej temave të bisedës mes ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe zyrtares së lartë të OSBE.

Ministrja theksoi se OSBE është një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë që prej vitit 1997, me një kontribut të rëndësishëm në një sërë kauzash e reformash në vendin tonë.

“Shqipëria ka mbështetur dhe financuar “Mekanizmin e OSBE-së për Moskën”, si një instrument i rëndësishëm llogaridhënieje dhe drejtësie për krimet e luftës, ndërkohë që është e zëshme në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe një anëtare aktive e Grupit të Miqve për Llogaridhënien në Ukrainë”, deklaroi Xhaçka në konferencën e përbashkët për mediet me Schmid.

Ajo theksoi se këtë vit rajoni ynë ka një rol të posaçëm në OSBE pasi Maqedonia e Veriut është kryesuesja e radhës e OSBE-së për vitin 2023, çka padyshim e sjell rajonin dhe zhvillimet në të, në fokusin e Organizatës edhe më shumë se zakonisht.

Xhaçka i shprehu Znj. Schmid vlerësimin për drejtimin nga ana e saj në këto kohë krize të organizatës, si dhe kontributin që ajo dhe OSBE kanë dhënë në avancimin e barazisë gjinore dhe të Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”./ (24 mars)

OSBE vlerësime për rolin e Shqipërisë në OKB

Në fjalën e saj  Sekretarja  e Përgjithshme e OSBE, Schmid, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, si dhe rolin e saj si  anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në konferencën për mediet me Xhaçkën, Schmid vlerësoi veçanërisht rolin e Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së.

“Shumë kolegë në OSBE ruajnë ende konsiderata të larta për kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Shqipëria. E vlerësoj shumë edhe axhendën tuaj për gratë në KS të OKB-së. Në OSBE ne vlerësojmë se është jetësore që të sjellim së bashku gratë dhe të rinjtë si aktorë të së ardhmes në arenën e sigurisë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që është bërë me Reformën në Drejtësi.

Po ashtu, Schmid përgëzoi Shqipërinë që është përzgjedhur si vendi ku do të mbahet kampusi i tretë i Kolegjit Europian, që është institucioni më i rëndësishëm pasuniversitar në BE.

“Është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe rajonin dhe të rinjtë do të kenë përfitime duke mësuar për vlerat europiane”, tha ajo./ (24 mars)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.