Projekte inovative në energjetikë

Shqipëria, Gjermania dhe Franca nënshkruan të martën në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit financiar që do të kontribuojë në fazën e dytë të mbështetjes së reformës në  sektorin elektroenergjetik shqiptar.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të Sekretarit të Shtetit të Gjermanisë, Niels Annen, nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, Barsacq dhe Zingraf.

Partnerët ndërkombëtare mbështesin Shqipërinë në transformimin e sektorit të saj energjetik me një kredi prej 100 milionë eurosh.

Zëvendëskryministrja Balluku theksoi se partnerët që kanë qëndruar në krah gjatë realizimit të kësaj reforme sfiduese, kanë vlerësuar angazhimin e Ministrisë shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas saj kjo reformë ka përafruar këtë sektor me kërkesat dhe parametrat e BE-së.

Balluku vuri në dukje se marrëveshje financiare do të kontribuojë në fazën e dytë të mbështetjes së sektorit elektroenergjetik shqiptar, i cili në vitin e fundit është përballur me krizën ekonomike që erdhi edhe nga kriza energjetike duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë.

 “Vitin e kaluar importuam sasi të rëndësishme për të mos pasur ndërprerje të energjisë për gjithë abonentët, ndaj kemi qenë të ekspozuar ndaj çmimeve të çmendura të tregut elektroenergjetik mbarëbotëror”, tha Balluku./ (6 qershor)

Interes nga investitorë të huaj për projekte fotovoltaike

Bursa energjetike shqiptare do të jetë një garantues i zhvillimit energjetik dhe sigurisht tregtimit të lirë, transparent e të drejtë të energjisë elektrike në Shqipëri.

Kështu deklaroi ministrja e Infrasktrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke nënvizuar se “ALPEX numëron nëntë operatorë të regjistruar si anëtarë të bursës, ndërkohë që 16 operatorë janë në fazën e vlerësimit dhe katër institucione bankare kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar”.

“Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka qenë një tjetër kërkesë kryesore e partnerëve në bazë të direktivave europiane, por edhe marrëveshjes për reformën e sektorit”, theksoi ajo.

Ministrja nënvizoi se duke filluar nga 1 janari 2021 të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kV, por edhe një pjesë e atyre të lidhur në 20 kV kanë dalë e furnizohen në tregun e lirë.

Gjithashtu edhe konsumatorët e lidhur në tensionin e mesëm janë njoftuar për daljen e tyre në tregun e lirë në janar 2022.

Balluku bëri të ditur gjithashtu se në ankandin e parë të prodhimit eolikë kanë marrë pjesë 16 kompani të huaja, gjashtë prej të cilave janë kualifikuar në fazën e dytë atë të ofertës financiare.

Ministrja pohoi se ka patur interes nga investitorë vendas e të huaj për të zhvilluar projekte fotovoltaike private me fonde të financuara nga banka të ndryshme dhe për shitje të energjisë në tregun e lirë.

 Për vitin 2022 sasia e aplikimeve në total arrin në 1,7 gigavat./ (7 qershor)

Procesi i Berlinit, mekanizëm i frytshëm për integrimin e rajonit

Procesi i Berlinit po rezulton një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, deklaroi Balluku të mërkurën në konferencën “Zbatimi i axhendës së gjelbër për prosperitet ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor”.

Balluku tha se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe me BE-në është në nivelet më të larta falë lidershipit të qeverisë gjermane për sa i përket Procesit të Berlinit.

Sipas saj kjo platformë  ka vërtetuar se është mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve të rajonit drejt BE-së, duke jetësuar reforma dhe projekte të cilat  sjellin më pranë realizimit të objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura me anëtarësimin.

Ministrja e Energjitikës ka theksuar se kriza energjetike, më e rënda në shumë vite, vuri përpara një dileme shumë të madhe të gjitha vendet, qofshin këto të vogla apo të mëdha.

Duke ju referuar nismës gjermane “Partneriteti i klimës së Ballkanit Perëndimor”, Balluku sugjeroi si thelbësore krijimin e një vizioni të unifikuar se si vendet e rajonit të arrijnë në 2030 objektivat e vendosura apo në 2050./ (8 qershor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.