Shqipëria mikpriti një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që solli në tryezë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale, – në një diskutim për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos në fjalën hapëse të samitit deklaroi se Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se “ky është një gabim që ne kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë”.
Ky samit vjen pak pasi u publikua paketa e zgjerimit e Bashkimit Europian, e cila sipas komisioneres, ka sjellë një dinamikë të re në procesin e zgjerimit.
Sot, vijoi Kos, kemi ardhur këtu për të bërë një vlerësim të ecurisë për të parë çfarë ka ecur mirë me planin e rritjes dhe në cilat fusha duhet të bëjmë më shumë.
Ndërkohë pas përfundimit të samitit dhe fotos familjare, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Kos theksoi rëndësinë kritike të muajve në vijim për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në qershor skadon periudha tranzitore njëvjeçare për reformat e papërmbushura dhe Kos vuri në dukje se rajoni duhet të intensifikojë përpjekjet.
“Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi skadimin e periudhës tranzitore 1-vjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit dhe, për këtë arsye, i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë akoma më fort për reformat”, tha Kos.
Duke u ndalur tek rezultatet e prekshme për qytetarët, Kos përmendi progresin e madh sa i takon tarifave të roaming-ut.
“Ne nuk kemi më tarifa shtesë për thirrjet ndërkombëtare brenda BE-së, pse duhet t’i keni ju? Për këtë duhet të punojmë akoma më shumë, që të kemi përafrim me rregullat e BE-së”, tha Kos.
Lidhur me infrastrukturën e tregtisë dhe transportit, Komisionerja shpjegoi se zbatimi i korsive të gjelbra është në vijim.
“Vitin e kaluar ramë dakord për 11 pika të përbashkëta kalimi ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe 5 pika të tilla brenda vetë rajonit. Sot Komisioni dhe Banka Botërore shkëmbyen një letër angazhimi që na shtyn të ecim më shpejt me fazën e dytë të programit ‘Transport i sigurt dhe i qëndrueshëm’, për të zhbllokuar projekte që përmirësojnë infrastrukturën e transportit, inovacionin digjital, mbrojtjen e konsumatorit dhe turizmin”, tha Kos.
Ajo theksoi se këto përfitime do të ndihen si nga qytetarët ashtu edhe nga bizneset.
Kos vuri në dukje se vendet e rajonit duhet të vijojnë me vendosmëri transformimin e brendshëm.
“Na mbeten edhe dy vite që Plani i Rritjes të kthehet në një sukses të vërtetë dhe të përgatisim terrenin për anëtarësimin tuaj në BE. Duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë për të punuar për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kos.
Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se plani i ri i Rritjes i BE është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët europian.
Rama informoi se në këtë samit u vlerësuan rezultatet e nismave të përbashkëta, si dhe u nënvizuan angazhimet e reja për të ndjekur në mënyrë të detajuar kalendarin e detyrave që ka çdonjëri nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në raport me Planin e ri të Rritjes.
Kryeministri e konsideroi këtë takim të frytshëm, ndërsa u shpreh se janë ndërmarrë hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me BE-në, duke konfirmuar përsëri se Plani i ri i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët europian. (21 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
