U mbajt për dy ditë me radhë në Tiranë takimi i 18-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri që ndodh në momentin e rëndësishëm kur Shqipëria ka hapur negociatat për grup-kapitullin e parë të themeloreve.

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Marco Tarquinio deklaroi në takim se reformat në parlamentin shqiptar kanë filluar të mishërojnë shpresën për t’u bërë vend anëtar i BE.

Ai theksoi se, “shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri, por ndërkohë kemi edhe zhvillime interesante të ndryshme në këtë vend tani dhe ne duam të jemi në anën tuaj. Ne duam t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja gjithashtu”.

Bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Toni Gogu evidentoi progresin e shënuar nga Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së.

“Mosbesimi ndaj institucioneve të pavarura është një nga kërcënimet më serioze të demokracisë. Në demokraci nuk i bëhet gjyq gjykatës”, tha Gogu, teksa përmendi gjithashtu Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit si një dëshmi e re e përkushtimit të Shqipërisë për integrimin në BE në vitin 2030.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se anëtarësimi në BE është një objektiv që nuk i përket një partie apo një tjetre, por është ambicia e të gjithë popullit shqiptar.

Përfaqësuesit e opozitës shqiptare në takim shprehën pikëpamjet e tyre, duke theksuar se nuk janë kundër integrimit në BE, por se opozita do vazhdojë të thojë të vërtetat e saj, pavarësisht nëse këto të vërteta nuk u pëlqejnë disa prej të pranishmëve.

“Nëse doni panoramë ndryshe mos e bëni pjesë opozitën në këtë format, nëse e doni njëngjyrësh atëherë e keni parlamentin”, tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës, Gazment Bardhi.

Në ditën e dytë të punimeve të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, pala shqiptare nuk ka rënë dakord, duke çuar në mosmiratimin e rezolutës me diskutimet e takimit.

Opozita refuzoi të japë votën pro.  Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se opozita nuk është kundër procesit të integrimit, por kjo votë kundër është për shkak të refuzimit nga mazhoranca të çdo propozimi të PD-së.

Delegacioni i PE-së u shpreh se vota kundër është një sinjal negativ për Këshillin Europian, duke ngadalësuar edhe procesin e integrimit. (30 tetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.