Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë sjellë situata të rënda përmbytjesh në disa qarqe në Shqipëri, ku më të prekur jan Durrësi dhe Vlora.
Ndërsa të gjitha strukturat shtetërore ndodhen në terren dhe në gatishmëri të plotë, autoritetet kanë aktivizuar në disa zona edhe planin e evakuimit parandalues, ndërsa paraditen e sotme doli nga shtrati dhe lumi Vjosa në qarkun e Vlorës.
Delegacioni i Bashkimit Evropian shprehu shqetësimin lidhur me situatën e përmbytjeve në disa zona të Shqipërisë, ndërsa informoi se Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacionin dhe pamjet përkatëse nga sateliti Copernicus.
“Së bashku me Shtetet Anëtare, Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”, thuhet në njoftimin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. (8 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
