Shqipëria ka 2,4 milionë banorë sipas rezultateve të publikuara në Tiranë nga Instituti i Statistikave.
Censi vlerësoi se në territorin shqiptar në vitin 2023 jetonin 755 950 familje, me madhësi mesatare 3,2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme.
Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli vuri në dukje se kryerja e Censit plotësoi një nga kushtet për hapjen e negociatave me BE-në dhe se rezultatet do të përdoren për të siguruar statistika të nevojshme, si pjesë e Sistemit Statistikor Evropian në të ardhmen.
Censi 2023 solli shumë inovacione si përdorimin e teknologjisë së informacionit në mbledhjen e të dhënave, një sistem gjeohapësinor të digjitalizuar, monitorimin në kohë reale të ecurisë dhe cilësisë së mbledhjes të të dhënave, një gamë më të gjerë informacioni të mbledhur.
Metodologjia, definicionet, konceptet u bazuan në rekomandimet e Komisionit Evropian të Kombeve të Bashkuara, për Ekonominë (UNECE) për raundin e censeve 2020, dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.
Kryetari i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Silvio Gonzato i pranishëm në publikimin e rezultateve të censit nënvizoi se Censi siguron të dhëna mbi të cilat ndërtohen politikat dhe ofrohen shërbimet publike.
“Censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e bisedimeve për integrimin në BE. Informacioni i saktë dhe i besueshëm është thjesht thelbësor”, tha Gonzato.
Bashkimi Evropian ishte partner i INSTAT në këtë proces./ (1 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.