Varhelyi: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE po ndodh
Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për hapjen e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë ishte i pranishëm edhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.
Varhelyi deklaroi se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për hapjen e Kolegjit të Evropës në Shqipëri është një sinjal i qartë që anëtarësimi i Shqipërisë në BE po ndodh.
Ai tha se “të gjithë ne e kuptojmë gjithnjë e më shumë se sa i rëndësishëm është ai edhe për Evropën Qendrore e Lindore”.
“Kolegji i Evropës është kthyer në simbolin e zgjerimit të Evropës, që mund të zgjerohet dhe të bëjë të mundur që të gjitha pjesët e tjera të Evropës të bëhen një. Prandaj kur kryeministri Rama dhe vendosi të bisedonte me mua menjëherë mendova se në fakt kjo ishte një ide fanastike, dua të jem pjesë e kësaj ideje dhe ta bëjmë këtë gjë të mundur”, nënvizoi Varhelyi./ (12 tetor)
18,7% më pak shqiptarë u refuzuan të hyjnë në vendet e BE
Ministria e Brendshme e Shqipërisë njoftoi se në takimin e 10-të të Komitetit të Përbashkët për Ripranimet midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë u tha se ka një ulje me 18,7% të numrit të refuzimeve të hyrjes së shtetasve shqiptarë në një vend të BE.
Në takim, kjo ministri u përfaqësua nga zëvendësministri, Andi Mahila dhe konkluzionet u vlerësuan nga 21 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Në konkluzione thuhet se zbatimi i Marrëveshjes për Ripranimet midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është në nivel shumë të mirë dhe me një bashkëpunim konstruktiv.
Po ashtu, riatdhesimi i fëmijëve të pashoqëruar ndodhet në nivel shumë të mirë dhe ka një ndjeshmëri të veçantë.
Në nivel shumë të mirë u përcaktuan edhe bashkëpunimi për procedurat e identifikimit të shtetasve shqiptarë që nuk zbatojnë kushtet e qëndrimit në një vend të BE-së si dhe bashkëpunimi për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit shqiptarë që duhet të kthehen në Shqipëri./ (12 tetor)
BE mbështet krijimin e ndërmarrjeve sociale në asetet e konfiskuara
Ndërmarrje të reja sociale po krijohen në asetet e sekuestruara nga krimi i organizuar në Shqipëri.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi shpalljen e ideve fituese të mbështetura nga projekti TWIST, financuar nga Bashkimi Evropian.
“Dy ndërmarrje sociale në asete të konfiskuara nga krimi i organizuar, tre të sapokrijuara dhe pesë ekzistuese do të fuqizojnë grupet e margjinalizuara përmes aftësive profesionale, përfshirjes sociale dhe punësimit për mbi 890 individë”, theksoi zyra e BE-së.
Duke u mbështetur në suksesin e projektit CAUSE, TWIST ofron një model të ripërdorimit të aseteve të konfiskuara për qëllime publike dhe sociale.
Në Shqipëri, prej vitit 2020, falë mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe guximit të disa organizatave të shoqërisë civile punojnë me sukses tri ndërmarrje sociale të themeluara në pasuri të konfiskuara nga krimi i organizuar: “Che buono” në Fier, “KinFolk Coffe Library” në Durrës dhe “Social Crafting Saranda” në Sarandë./ (12 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.