Vetadministrim i spitalit “Memorial”

Spitali “Memorial” në Fier, 110 kilometra në jugperëndim të Tiranës, është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale me afat dy vjeçar pas përmbushjes së të gjithë kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Autonomisë Spitalore.

Në shkurt të këtij viti u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave Rregullorja e Autonomisë Spitalore që i hap rrugën të gjithë spitaleve publike për të aplikuar fillimisht për autonomi menaxheriale pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara.

Autonomia spitalore i jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetë-administruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri – tjetrit, por dhe me spitalet jopublike, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Gjithashtu autonomia mundëson mirëmenaxhim të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumentave dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialist në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare./ (13 mars)

Autonomia e spitalit, rritje e cilësisë së shërbimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka dorëzuar spitalit “Memorial” Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Ministrja Manastirliu tha se “autonomia menaxheriale është hapi i parë drejt autonomisë financiare”.

Ajo sqaroi se karta përmban të gjithë elementët që decentralizohen dhe i kalojnë vetë spitalit administrimi i tij, duke filluar nga burimet njerëzore, administrimi, autonominë për të krijuar modalitete të reja në përzgjedhjen e stafeve, mjekësore apo jo-mjekësore në kuadër edhe të rritjes së performancës dhe aktivitetit.

Ministrja e konsideroi të rëndësishme që spitali të ketë atë zhdërvjelltësinë për t’iu përshtatur momentit,  situatave dhe zhvillimit të teknologjisë dhe dijes së mjekëve

Ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe QSUT, Spitali Rajonal Durrës dhe Shkodër, në bashkëpunim me ekipe nga Turqia kanë filluar procedurat për Autonominë Spitalore.

Duke e konsideruar një rritje historike rritjen e pagave për mjekët specialistë, nga spitali “Memorial”, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë rritja e pagave të targetuara edhe për kategori të tjera të personelit shëndetësor./ (11 mars) 

Shërbime falas dhe me cilësi në Spitalin e Fierit

Në spitalin “Memorial” të Fierit që nga hapja e tij në maj të vitit 2021 janë ofruar falas dhe me cilësi mbi 140 mijë shërbime për qytetarët.

Spitali i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital janë kryer një sërë ndërhyrjesh të suksesshme me metoda të avancuara në pacientë të moshave të ndryshme.

Ai ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, ortopedisë dhe traumatologjisë.

Atje po kryhet me sukses procedura e arteriografisë digjitale të arterieve karotide dhe atyre cerebrale që jep mundësinë të diagnostikohen sëmundje që lidhen me këto arterie e duke rezultuar jetëshpëtues.

Falë bashkëpunimit të shkëlqyer të stafeve mjekësore turke dhe shqiptare, këto procedura delikate jetëshpëtuese po kryhen në vijimësi, duke shtuar një shërbim të ri për pacientët që vuajnë nga këto sëmundje./ (11 mars)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.