Abetare e përbashkët edhe në versionin digjital
Abetarja e përbashkët, zotim i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe një tekst i shumëpritur për nxënësit e Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ata ndodhen, u përurua në një event të posaçëm në kryeqytet, në vigjilje të vitit të ri shkollor.
Abetarja e re, e cila ndryshon nga tekstet e mëparshme në planin e metodave të integrimit, të leximit dhe të shkrimit, vjen për herë të parë edhe në versionin digjital, që lehtëson ndjeshëm punën e mësuesve, nxënësve dhe prindërve.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e përbashkët të bërë në drejtim të hartimit profesional të Abetares së unifikuar, e cila vijon traditën e mësimit të gjuhës shqipe, në një mënyrë më dinjitoze se çdo herë tjetër.
“Këtë gjuhë që flitet në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës dhe deri në Australi, kemi detyrë ta mbrojmë nga kërcënimet e mëdha si rezultat i globalizimit,” tha Rama.
“Ne kemi shumë gjëra për të unifikuar me Kosovën në aspektin e shumë kodeve të qarkullimit, të doganës, të punës, të procedurave administrative dhe në themel të tyre ky proces ka gjuhën”, theksoi ai.
Edhe qeveria maqedonase ka nisur procedurat që edhe shqiptarët atje të mësojnë me të njëjtën abetare./ (14 shtator 2022)
Laboratorë Smart në shkollat publike
100 shkolla të arsimit bazë publik janë pajisur me laboratorë të rinj digjitalë smart, ndërsa për herë të parë do të zhvillohet kurrikula e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që në klasën e parë fillore.
Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.
Ky program, i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, zhvillon kompetencat kryesore përmes katër tematikave kryesore: Bota e kompjuterit, Hyrje në multimedia, Të menduarit kompjuterik dhe kodimi dhe Siguria e të punuarit në kompjuter./ (13 shtator 2022)
Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, nisi punimet edhe Kongresi për Arsimin me temë “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian”. Qëllimi i tij ishte bashkimi në një hapësirë diskutimi të shumë aktorëve të fushës së arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, agjencitë, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe donatorët e projekteve në fushën e arsimit.
Pjesëmarrja në këtë kongres e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve, nxit bashkëpunimin e ndërsjellë për sfidat e të ardhmes për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.
Përgjatë dy ditëve punimet e Kongresit u konceptuan në katër sesione: Ndërkombëtarizimi i arsimit, Sfidat e së ardhmes; Arsimi i lartë dhe procesi i ndërkombëtarizimit; Edukimi profesional dhe digjitalizimi, ku u diskutua gjerësisht.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha se “në kohë sfidash e transformimesh, arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhende.”
Në punimet e Kongresit morën pjesë edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim vuri në dukje mbështetjen e ofruar për zbatimin e Procesit të Bolonjës, përmirësimin e administrimit dhe akreditimin e universiteteve shqiptare./ (12 shtator 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.