Rritje e numrit të turistëve danezë
Kryeministri Edi Rama mikpriti të hënën kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila është kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë.
Ajo u prit në ambientet e Kryeministrisë nga homologu i saj me anë të një ceremonie zyrtare.
Në konferencën e përbashkët për mediet, Rama tha se mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Ai theksoi se Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht dhe diplomatikisht një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.
Rama nënvizois e vizita e kryeministres këtu ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor edhe për marrëdhëniet e Danimarkës me Ballkanin Perëndimor.
Ndër të tjera, Rama evidentoi se ka një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhaga në Tiranë janë rritur vit pas viti.
Rama theksoi se ka edhe një interesim të sipërmarrjes daneze në fushën e energjisë dhe të tregtisë./ (6 mars)
Shqipëria aleate e besuar e NATO-s
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen e cilësoi Shqipërinë një partner të besuar të Danimarkës, ndërsa vlerësoi Kryeministrin Rama si një prej zërave më të fortë në Europë, kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë, midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës.
Sipas saj, Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe një aleat mjaft i besuar i NATO-s.
“Në një kohë kur Bashkimi Europian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që ne të mund të ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë dhe jam shumë e sigurt që do të mund ta bëjmë një gjë të tillë”, nënvizoi kryeministrja daneze.
Gjatë fjalës së saj, Frederiksen u ndal edhe në sulmin rus ndaj Ukrainës duke nënvizuar se Shqipëria reagoi mjaft qartë e shumë fort ndaj kësaj situate me punën në Këshillin e Sigurimit.
“Ju jeni bashkuar me sanksionet e BE-së qysh prej fillesës dhe jeni angazhuar në NATO e keni qenë një mbështetës mjaft i fortë i Ukrainës. Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne mendoj dhe siç ju më thatë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën shumë të brishtë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ajo.
Kryeministrja theksoi se “përkushtimi juaj ndaj vlerave europiane është i rëndësishëm dhe po kështu kjo është një pjesë mjaft e fortë e çeljes së negociatave për anëtarësim e Shqipërisë ne BE”.
Ajo ritheksoi mbështetjen e Danimarkës në rrugëtimin drejtë BE-së.
Ndërsa Rama theksoi se lufta në Ukrainën ka ndihmuar shumë Bashkimin Europian të zgjohet përkundrejt asaj çfarë ndodh përtej kufijve kombëtar dhe asaj çka ndodh përtej kufijve të BE-së./ (6 mars)
Projekte bashkëpunimi Shqipëri-Danimarkë
Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, tha se me kreun e qeverisë diskutuan për shumë projekte të përbashkëta.
Ajo shprehu angazhimin për të ndërtuar një partneritet më të fortë midis Danimarkës dhe Shqipërisë.
Frederiksen nënvizoi se rindërtimi është një nga fushat ku po punohet mes të dy vendeve.
“Shoh shumë fusha ku mund të punojmë së bashku. Dëgjova edhe atë që u tha për turizmin dhe mund të mbështesim që më shumë danez të vijnë në Shqipëri’- tha Mette.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se një mënyrë e mirë bashkëpunimi është për procesin në fushën e arsimit dhe të dijes.
“Në procese e integrimit njëra rrugë, është rruga e Brukselit dhe e gjithë ndërveprimeve me grupet tona të punës dhe grupeve të caktuara në Bruksel. Rruga tjetër që është ajo mbështetjes së këtij procesi është ajo e bashkëpunimeve e bilaterale dhe të dijes. Danimarka është një nga vendet më të admirueshme për shkak të dijes, ne e kemi rrugën e hapur për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje teknike për fusha të caktuar që do ta bëjmë dhe në proces’- tha Rama. (6 mars)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.