Shkup – Shqetëson fakti që, në vend që të përshëndetet si një hap konstruktiv përpara, Plani i propozuar i veprimit për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve është objekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga ana e Bullgarisë, gjë që nuk kontribuon në ndërtimin e besimit dhe të vullnetit të mirë mes dy shteteve, reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, dhe theksojnë se “në vend të komenteve të paargumentuara, nga fqinji ynë presim sjellje evropiane, ndër të tjera edhe në raport me respektimin dhe njohjen e plotë të gjuhës maqedonase”.
– Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet konsekuente ndaj rregullave evropiane dhe qasjes së bazuar në merita ndaj zgjerimit. Plani i propozuar i veprimit për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve është hartuar në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në konsultim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian. Dokumenti përmban masa, afate dhe institucione kompetente të përcaktuara qartë dhe është plotësisht i harmonizuar me standardet më të larta evropiane, thuhet në njoftimin e MPJ-së dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë pas reagimit të MPJ-së së Bullgarisë ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski se “Bullgarisë i pengon gjuha maqedonase në Planin e veprimit për pakicat”.
Procesi i hartimit të Planit të propozuar të veprimit, siç theksojnë nga MPJ-ja dhe Tregtia e Jashtme, u zhvillua në disa faza, duke filluar nga viti 2023, me ç’rast përpunimi final u intensifikua në gjashtë muajt e fundit të vitit 2025 dhe gjatë gjithë procesit ishin të përfshirë në mënyrë aktive dhe u konsultuan rregullisht ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë nga fusha e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, ndërsa nga ana e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian u theksua se dokumenti i përfshin të gjitha standardet relevante evropiane dhe ndërkombëtare.
– Theksojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut njihet si shembull pozitiv në nivel evropian në zbatimin e të drejtave të komuniteteve dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Qëndrojmë fuqishëm të përkushtuar ndaj barazisë, përfshirjes dhe zbatimit efikas të politikave në interes të të gjithë qytetarëve tanë, theksohet në njoftimin e MPJ-së dhe Tregtisë së Jashtme.
Njoftimi pason pas reagimit të MPJ-së së Bullgarisë ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski se Sofisë zyrtare i pengon gjuha maqedonase në Planin e veprimit për pakicat.
Në reagimin bullgar shprehet shqetësim për, siç thuhet, “tezat më të reja të autoriteteve në Shkup, të cilat devijojnë ashpër nga thelbi i Konsensusit Evropian të vitit 2022”.
– Çështja – në cilën gjuhë duhet të jetë Plani për të drejtat e komuniteteve që pritet nga Maqedonia e Veriut – është e brendshme për shtetin fqinj dhe nuk është temë e marrëdhënieve dypalëshe. Dokumenti do të zbatohet pikërisht nga institucionet e saj ndaj qytetarëve të saj dhe është logjike të jetë në një gjuhë të qasshme për ta. Zgjedhja e Shkupit që ta paraqesë draftin e atij plani para qytetarëve të vet në gjuhën angleze është vështirë e shpjegueshme, veçanërisht nëse planifikohet që Plani të zbatohet realisht, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare. Nga Sofja rikujtojnë edhe se Planit të veprimit duhet t’i paraprijë përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, me ç’rast, siç theksojnë, do t’i mundësohet Shkupit t’i fillojë negociatat e anëtarësimit.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se Bullgaria kundërshton Planin e veprimit për pakicat për shkak se është në gjuhën maqedonase. Mickoski tha se ka ndodhur ajo për të cilën i kishte paralajmëruar partnerët në Bruksel – “se edhe nëse e bëjmë Planin e veprimit për pakicat më të mirin, ai do të refuzohet nga Bullgaria”.
– Më vjen keq që edhe një herë e humbën shansin të tregojnë se janë fqinj të mirë. Asnjë vend anëtar nuk është kundër, asnjë pakicë në Maqedoni nuk është kundër, sepse pati debat publik. Eh, problem paska qenë që ishte në gjuhën maqedonase. Më falni, por gjuha ime amtare është maqedonishtja, gjuha zyrtare për përdorim ndërkombëtar është maqedonishtja, nuk ka tjetër. Nëse dikujt i pengon kjo, unë këtu nuk mund të ndihmoj dhe më vjen keq që është kështu, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se gjithçka ishte bërë ashtu siç ishte kërkuar – u pranuan sugjerimet e ekspertit nga Italia gjatë përgatitjes së Planit dhe u përmbush kërkesa nga Brukseli “që një ditë më parë të dërgohet në Bullgari për të treguar vullnet të mirë”.
– Kështu bëmë, e dhamë një ditë më parë. Eh, tani, u paska penguar që është në gjuhën maqedonase. Por, ajo është gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës dhe unë apo ministri nuk mund ta shkelim Kushtetutën. Nëse ata mendojnë se do ta dërgojmë në ndonjë gjuhë tjetër, ne nuk kemi gjuhë tjetër sipas Kushtetutës. Ajo është gjuha maqedonase. Ata edhe një herë tregojnë se nuk ka lidhje pakica apo bullgarë në Kushtetutë. Kërkesat e tyre kanë rrënjë shumë më të thella dhe problemet janë më të thella dhe edhe një herë tregojnë se qëllimi i tyre është krejtësisht tjetër, deklaroi Mickoski.
Siç tha, Qeveria tani nuk ka asnjë kontakt me Bullgarinë, por se “jemi në dispozicion kurdo dhe kudo, në cilëndo organizatë të shkojmë dhe të bisedojmë dhe t’i paraqesim argumentet tona”.
– Gjithçka do të pranojmë, normalisht jo përfshirjen në Kushtetutë, të gjitha vërejtjet do t’i pranojmë, por unë nuk mund të heq dorë nga gjuha ime amtare maqedonase, theksoi Mickoski. (5 janar 2026)
go to the original language article
