Sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes të paprekura nga sulmet kibernetike

Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri për të asistuar qeverinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike. Vizita vjen pas komunikimit të kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg. Delegacioni i kryesuar nga zëvendësasistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Sfidat dhe Zhvillim të Sigurt, James Appathurai u takua fillimisht me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Gjatë konferencës së përbashkët, Peleshi sqaroi se ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim.

Ministri theksoi se “këto sulme kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të të gjithë sistemeve tona të teknologjive të informacionit.”

Qeveria shqiptare reagoi menjëherë pasi siguroi prova të pakundërshtueshme për origjinën e sulmit duke ndërprerë menjëherë marrëdhëniet me Iranin.

 “Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën krah Shqipërisë nëpërmjet deklaratave të ndryshme apo dhe me afrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike. Aktualisht pas afro pesë javësh punë intensive është bërë i mundur rikthimi i sistemeve dhe platformave të ndryshme në shërbim të qytetarëve të vendit tonë”, sqaroi Ministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, “këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi të mbrojtur në mënyrë  permanente, por duhet të jemi vigjilentë dhe të aftë të mbrojmë infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit të vendit tonë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike.”

Ministri vuri në dukje se investime të shumta janë bërë këto vite, por kjo është një luftë e re që ka marrë tjetër intensitet edhe pas agresionit rus në Ukrainë, që ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë.

Ministri garantoi se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë të paprekura nga sulmi, sepse janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit, por pavarësisht kësaj është rritur gatishmëria dhe niveli i vëmendjes dhe sigurisë për të gjitha këto sisteme.

Ministri Peleshi falënderoi edhe aleatët për qëndrimin e mbajtur menjëherë pas sulmeve, duke ofruar asistencën e tyre për të penguar sulmet kibernetike në të ardhmen./ (21 shtator 2022)

 NATO mbështetje Shqipërisë në betejën e saj kundër sulmeve kirbernetike

Zëvendësasistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Sfidat dhe Zhvillim të Sigurt, James Appathurai deklaroi se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, sepse do të ketë mbështetjen dhe mbrojtjen e Aleancës.

Ai theksoi se të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar.

Ai vlerësoi përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar duke nisur nga qeveria deri poshtë te niveli i ulët për të përballuar këto sulme.

Appathurai sqaroi se arsyeja kryesore e ekipit të NATO-së në Shqipëri është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë.

Ekipi i NATO-s u takua edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Brendshme si dhe me përfaqësues të AKSHI-t./ (20 shtator 2022)

Akademia e Forcave të Armatosura master në Siguri Kibernetike

Akademia e Forcave të Armatosura, Fakulteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë ofron për herë të dytë në vitin akademik 2022-2023, programin e ciklit të dytë të studimeve Master Profesional në Siguri Kibernetike në Fushën e Mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se “kjo është një mundësi fantastike për vijimin e studimeve universitare në një nga fushat më prestigjioze dhe më të lakmuara të momentit.”

 Ky program studimi ka për qëllim të formojë gjeneratën e re të profesionistëve ushtarakë dhe civilë, të cilët do të përfitojnë njohuritë e duhura dhe eksperiencat për të zhvilluar sisteme më të sigurta kompjuterike./ (20 shtator)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.