Florian Marku mposht meksikanin Ramirez
Boksieri shqiptar Florian Marku është shpallur fitues i ndeshjes në “Air Albania” përballë kundërshtarit meksikan, Miguel Parra Ramirez duke vazhduar dominimin në ringun profesionist, ku nuk njeh humbje.
Kampioni shqiptar ia doli të mundë me pikë pas 10 raundesh boksierin meksikan Miguel Perra. Kampioni dhuroi emocione për qindra të pranishmit që e ndoqën në stadium dhe mijëra të tjerëve që e ndoqën nga ekrani. Në fund të raundit të dhjetë, Florian Marku grumbulloi 95 pikë, kundrejt 92 pikëve të Miguel Perras.
Marku renditet në vendin e 43 në botë në peshën ‘ëelterëeight’, ndërsa deri më tani ka zhvilluar si boksier profesionist 12 ndeshje, 11 prej të cilave i ka fitore dhe 1 barazim.
Ndërkohë meksikani Parra ka dyfishin e ndeshjeve të Florianit, 24, 22 prej të cilave fitore dhe 2 humbje. Gjithsesi ai është klasifikuar në peshën ‘super light’ dhe mban vendin e 260.
Para tifozëve Marku u shpreh se “nuk jam as Superman, as njeri që nuk goditet, edhe unë kam shpirt, por vetëm diçka ju premtoj. Do jap shpirtin derisa të bie dhe të mos çohem më”.
“Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” për kampionin e boksit
Kampioni i sportit shqiptar, boksieri Florian Mark u nderua me një ceremoni të dedikuar në Sallën e Hartave, në Kryeministri.
Suksesi i Florianit në ndeshjen e fitores u duartrokit me emocion nga qytetarët, më së shumti të rinj e të reja, sportdashës dhe dëshmitarë të triumfit të tij në ringun botëror.
Kryeministri Edi Rama e nderoi sportistin me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
Ai e cilësoi boksierin një ambasador të Shqipërisë që prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe në Myzeqe nga gjyshja. “Ka qenë aty kjo jo për zgjedhjen e tij por sepse u internua, siç ishin shumë nga shqiptarët e Kosovës të internuar në periudhën e regjimit komunist. Më pas Floriani me prindërit ka shkuar në emigracion qysh i vogël, në Greqi ku ka filluar karrierën e tij, më pas në Austri”, tha Rama duke folur për rrugëtimin e Florianit.
“Mos u dorëzoni! Asnjë gjë nuk është fat në jetë,a snjë njeri nuk është rastësisht aty ku është”… ishte mesazhi drejtuar të rinjve i kampionit të boksit Florian Marku.
Ai bëri një historik të shkurtër të karrierës së tij dhe sakrificave që e kanë shoqëruar përgjatë kësaj rruge drejt suksesit duke u shprehur se pavarësisht peripecive dhe ofertave që i janë ofruar kurrë nuk e ka hedhur poshtë flamurin shqiptar.
Mes emocioneve dhe lotëve, Marku rërfeu premtimin që i kishte dhënë nënës së tij. “Nuk vij nga një familje shumë e pasur, nëna ime ka qenë pastruese. I kam thënë: sa të kalojnë disa vite dhe nuk ke për të punuar kurrë sa të jetë djali gjallë’. Ajo tani nuk ka nevojë të punojë më”, u shpreh ai.
Marku deklaroi se me ndihmën e kryeministrit Rama dhe kryetarit të baskisë, Veliaj do të lançohen palestra të reja boksi dhe sporti në të gjithë Shqipërinë me mbiemrin “Marku”.
Grada kolonel për kampionët botëror
Kryeministri Edi Rama informoi se në shtator do të shkoj në Kuvend ligji që parashikon dhënien e gradës kolonel për kampionët botërorë në sporte, si Luiza Gega, Briken Çalja apo kampioneve olimpike të Kosovës, deri në daljen në pension.
Rama bëri me dije se këta të 4 sportistë do të jenë kolonel dhe do të paguhen si kolonel në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjithashtu, Kryeministri informoi e ata do të punojnë në një strukturë speciale mentorësh të ushtarëve dhe oficerëve tanë për t’u ushqyer atyre frymën e kampionit, shpirtin e fituesit, ambicien e suksesit dhe për t’u treguar se të qenit shqiptar dhe përfaqësues i flamurit kuqezi në çdo fushë është një nder dhe motiv shumë i fortë për të bërë sukses.
Kryeministri deklaroi se në Shqipëri nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, por ka një sistem mbështetje dhe një sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë.
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.