Ljubljana – Në stacionin hekurudhor të Ljubljanës zyrtarisht filluan punimet ndërtimore për përmirësimin e saj me zbulimin e një pllake përkujtimore. Siç theksoi kryeministri slloven Robert Golob , rëndësia e projektit tejkalon kufijtë e Sllovenisë, pasi zona është pjesë e rrjetit hekurudhor më të rëndësishëm të Evropës. Rinovimi do të bashkëfinancohet me fonde evropiane.
“Ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për Ljubljanën, nuk është i rëndësishëm vetëm për trafikun e pasagjerëve, nuk është i rëndësishëm vetëm për Slloveninë, por është gjithçka kjo dhe shumë më tepër. Në këtë vend ndërthuren korridoret hekurudhore më të rëndësishme të Evropës,” tha kryeministri. Me realizimin e suksesshëm të projektit, Sllovenia do të bëhet sinonim për sukses në hartën hekurudhore evropiane, siç është tashmë sot në fusha të tjera.”,
Ministrja e Infrastrukturës Alenka Bratušek gjithashtu theksoi se stacioni hekurudhor i Ljubljanës është një nyjë thelbësore në rrjetin e transportit panevropian (TEN-T).
Sllovenia ka siguruar më shumë se 180 milionë euro fonde evropiane nga mekanizmi për rimëkëmbje dhe qëndrueshmëri (RRF) për realizimin e projektit, që sipas saj është një konfirmim nga ana e Evropës se bëhet fjalë për një projekt vërtet të madh, të rëndësishëm dhe të nevojshëm.
Kreu i përfaqësisë së Komisionit Evropian në Slloveni Jerneja Jug Jerše kujtoi se bëhet fjalë për projektin më të madh që bashkëfinancohet nga RRF në Slloveni.
Rinovimi i stacionit hekurudhor të Ljubljanës përfshin përmirësimin e hekurudhës duke optimizuar skemën e hekurudhës dhe ndërtimin e gjashtë platformave të reja në zonën e stacionit. Për qasje më të sigurt dhe më të lehtë të pasagjerëve në infrastrukturën e platformës, do të ndërtohet një mbikalim i ri me sallën e stacionit me ashensorë, gjithashtu do të rinovohet edhe kalimi ekzistues nën tokë.
Sipas njoftimeve, punimet do të zgjasin 22 muaj, dhe kontrata ka një vlerë prej 199,9 milionë euro pa taksë, ose 243,9 milionë euro me TVSH. (19 tetor)