Në Tiranë çeli dyert Kolegji i Europës me kursin 2–javor për 24 nëpunës civilë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kolegji do të jetë i gatshëm të fillojë vitin e parë akademik në Tiranë, në fund të gushtit, me grupin e parë të studentëve, të cilët do të studiojnë për një vit për programin master “Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimi Rajonal”.

Rektorja e Kolegjit të Evropës në Tiranë, Federica Mogherini e pranishme në ceremoninë e nisjes së kursit vuri theksin në rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal dhe ndërlidhja në procesin e integrimit në BE.

“Kolegji është investim dhe për integrimin e vendeve të rajonit dhe Shqipërisë drejt BE-së“, u shpreh Mogherini.

“Kemi shpenzuar një dekadë dhe kemi thënë gjithmonë se ne duhet të punojmë shumë me rajonit për ta përgatitur atë drejt anëtarësimit në BE. Kjo gjë ka filluar dhe duhet bërë reale “, theksoi ajo.

Në ceremoni, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se hapa të tillë e bëjnë të ardhmen e Shqipërisë në Evropë më të prekshme.

“Pa mbështetjen politike dhe financiare të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij, kampusi i Tiranës nuk do të kishte parë dritën dhe nuk do të ishte gati për të pritur grupin e parë të studentëve tashmë në vitin akademik 2024-2025”, theksoi ai./ (5 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.