Kampusi i ri, financim i Komisionit Evropian
Në Tiranë po vijon puna në ndërtesën ku do të ngrihet Kampusi i Kolegjit të Evropës.
Rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini postoi më 19 korrik në Twitter një foto së bashku me stafin që po punon për ngritjen e të parit universitetit evropian në Shqipëri duke theksuar se “puna vazhdon”.
Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se hapja e një kampusi të Kolegjit të Evropës në Tiranë është një sinjal se vendi ballkanik po i afrohet anëtarësimit në BE.
“Kampusi i ri do të financohet nga Komisioni Evropian dhe aplikimet për studentët do të hapen në shtator 2023”, tha Varhelyi.
Kuptimi simbolik i vendimit për të hapur një kampus në Tiranë, sipas Varhelyi, ishte një sinjal i qartë se pranimi i Shqipërisë në bllok mund të ndodhë shumë shpejt, siç ndodhi në Poloni.
Presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel mbështetën thirrjet e Shqipërisë për të ngritur një kampus të ri gjatë një samiti të liderëve të BE-së në Tiranë, dhjetorin e vitit të kaluar./ (14 gusht)
Kampusi i Tiranës, qendër rajonale e BE-së
Rektorja e Kolegjit të Europës Federica Mogherini nënshkroi më 7 qershor me ministren e Arsimit Evis Kushi, një memorandum bashkëpunimi që e anëtarëson Shqipërinë në Këshillin administrativ të Kolegjit të Evropës.
Shqipëria bëhet kështu vendi i parë nga të gjitha vendet aspirante për t’u integruar në BE që do të ketë një zë në qeverisjen e Kolegjit të Evropës.
Kampusi i Tiranës do të jetë një qendër rajonale e mësimeve të BE-së, por njëkohësisht do të tërheqë edhe studentë nga i gjithë kontinenti.
Kolegji i Evropës është një institucion i arsimit të lartë, i njohur në të gjithë Evropën për përgatitjen e ekspertëve dhe specialistëve të nivelit të lartë për çështjet evropiane dhe të marrëdhënieve midis vendeve.
Për autoritetet shqiptare kampus i Kolegjit të Evropës në Shqipëri do të jetë një ndihmë dhe një lajm i mirë për Shqipërinë, por edhe për rajonin pasi nuk do të ketë studentë vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit, apo vende të BE-së.
Universiteti i Tiranës ka nderuar në qershor Federica Mogherinin me titullin “Doctor Honoris Causa”, duke i shprehur asaj mirënjohjen për gjithçka ka bërë për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rajonin./ (15 gusht)
Universiteti “Aleksandër Moisiu” merr vulën e Universitetit Evropian
Për herë të parë një universitet publik shqiptar ka marrë nga Komisioni Evropian vulën e Universitetit Evropian dhe mbështetje financiare si pjesë e Aleancës së Universiteteve Evropiane STARS EU.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka përgëzuar Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës për këtë arritje duke theksuar se kjo e ngarkon atë me një përgjegjësi edhe më të madhe.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është partner i njërës prej 50 aleancave të universiteteve evropiane, përkatësisht Aleancës “STARS EU” e cila ka 9 universitete evropiane.
STARS EU u shpall më 3 korrik fituese në thirrjen 2023 Erasmus+ të Komisionit Evropian, i cili shpalli rezultatet për nismën e universiteteve evropiane, e cila ofron mbështetje për aleancat e institucioneve të arsimit të lartë.
Falë këtyre aleancave, studentët mund të marrin një diplomë duke kombinuar studimet në disa vende evropiane, gjë që kontribuon në konkurrencën ndërkombëtare të institucioneve të arsimit të lartë në Evropë./ (15 gusht)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.