Administrata publike është kyçe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane.
Qeveria shqiptare paraqiti Planin e Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së “Shqipërisë 2030” për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve.
Ministrja e Shtetit për Administratën dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni paraqiti disa masa që do të zbatohen për modernizimin e administratës publike, si fleksibiliteti në oraret e punës apo edhe prezantimin e bonuseve në bazë të performancës.
Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu besimin tek administrata si trupë profesioniste që kanë kontribut kombëtar.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh nga ana e tij se administrata publike është aset i Shqipërisë për negociatat për anëtarësim në BE.
“Më vjen mirë që qeveria njeh rëndësinë e nëpunësit publik. Duhet të ketë një administratë publike pa korrupsion, transparente dhe llogaridhënëse për të ofruar shërbimet më cilësore për qytetarët dhe bizneset. Për të mundësuar që Shqipëria të luajë rolin e plotë si anëtare e BE. Duhen sisteme karriere të bazuara në meritë. Sisteme transparente, të bazuara në vlerësimin e aftësive të njerëzve”, tha Gonzato.
Nuk është rastësore që për BE, reforma e administratës publike është thelbësore si elementët e tjerë të anëtarësimit.
Reforma e administratës publike do të jetë një nga faktorët përcaktues të integrimit.
Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes realist dhe ambicioz dhe përcakton hapat më të rëndësishëm që shërbimi civil të jetë në lartësinë e detyrës që e pret me mbështetjen edhe të Bashkimit Evropian./ (31 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.