Në Tiranë u mbajt takimi i 16-të i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit pas qëndrimit të përbashkët të BE-së të tetorit 2024, që shënoi hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë për Grup-kapitullin 1: Themelorët.

Takimi u bashkëkryesua nga Sigrid Brettel, shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian (Komisioni Evropian), Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe Tedi Dobi, zëvendësministër i Drejtësisë së Shqipërisë.

Fjalën e hapjes e mbajtën ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Komisioni Evropian përshëndeti rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).

U theksua gjithashtu rëndësia e përparimit të mëtejshëm në përafrimin me acquis-në e BE-së në këtë fushë dhe e një Zyre të Rikuperimit të Aseteve plotësisht funksionale, e krijuar brenda Policisë së Shtetit Shqiptar.

Komisioni Evropian njohu përpjekjet e Shqipërisë dhe bëri thirrje për forcimin e efikasitetit të kuadrit të parandalimit të korrupsionit veçanërisht në sektorët vulnerabël dhe rritjen e efektivitetit të verifikimit të deklaratave të pasurisë. Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s.

Lidhur me progresin në zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni përshëndeti përfundimin me sukses të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) të shkallës së parë. Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së gjyqësorit, si dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet.

Për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, Komisioni mori dijeni për krijimin së fundi të një Sistemi kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe nxiti funksionalizimin e plotë të tij.

Për azilin, vizat, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni përshëndeti përparimin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Për sa u përket të drejtave themelore, Komisioni Evropian përshëndeti përparimin në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe përparimin në miratimin e legjislacionit zbatues për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. (14 shkurt)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.