Më 15 tetor Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit të Bashkimit Evropian që do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani e cilësoi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian si momentin historik të shqiptarëve.
Kryediplomati shqiptar tha se Shqipëria i ka bërë detyrat. “Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon, e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat. Tani qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të veta. E gjithë përpjekja, është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot”, u shpreh ai.
Hasani tha se shqiptarët duhet që këtë datë ta konsiderojnë momentin e tyre historik dhe jo të ndonjë grupi apo individi të përfshirë në të.
Edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali u shpreh se konferenca është një arritje e merituar e Shqipërisë dhe Kuvendi do të vijojë të forcojë lidershipin, legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit të anëtarësimit.
Nesër më 15 tetor pritet mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg, ku do të hapet grupi I parë i kapitujve që mbulojnë reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. (14 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.