Nikolla pret homologun austriak
Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka zhvilloi të martën një vizitë zyrtare në Tiranë. Sobotka dhe Delegacioni që e shoqëron në vizitën zyrtare në Shqipëri, u pritën edhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Nikolla e vlerësoi presidentin Sobotka si një ndër partnerët e miqtë më të ngushtë të Kuvendit dhe një mbështetës dhe dashamirës të shqiptarëve, çka është dëshmuar me tre vizitat e tij në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit.
Ajo theksoi se “Shqipëria i është mirënjohës Austrisë për mbështetjen ndaj integrimit evropian si një ndër avokatët më të fuqishëm të këtij procesi, për ndihmën në avancimin e reformave, në veçanti të reformës në sistemin e drejtësisë, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë, të agjencive ligjzbatuese, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit e trafiqeve, për bashkëpunimin dypalësh në rritje në ekonomi, kulturë, mes universiteteve, arsimin profesional si edhe për bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare”.
Kryetarja e Kuvendit i kërkoi presidentit Sobotka vijimin e mbështetjes së Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi dhe planin evropian, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Bashkimin Evropian dhe SHBA.
Nikolla nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të mbajë një pozicion të qartë e të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së, NATO-s dhe SHBA-së./ (27 qershor)
Sobotka: Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer me reformën në drejtësi
Në kuadër të vizitës zyrtare, presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer sa i përket reformës në drejtësi.
Sobotka tha se marrëdhëniet Shqipëri-Austri në nivelin parlamentar janë të gjata dhe të qëndrueshme dhe karakterizohen nga një stabilitet i vazhdueshëm.
Ai nënvizoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së.
“Parlamenti austriak dhe unë personalisht mendoj që e kemi shumë të qartë kontributin tonë”, theksoi Sobotka.
Ai theksoi se “për Austrinë është shumë i rëndësishëm angazhimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ju keni bërë një punë të shkëlqyer sa i përket reformës në drejtësi”./ (27 qershor)
Shqipëria të kontribuojë në dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në fjalën e tij në seancën e posaçme në Kuvendin e Shqipërisë, dha disa mesazhe edhe për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai u kërkoi deputetëve angazhimin e tyre në gjetjen e dialogut dhe kompromisit mes dy vendeve.
“Ne na duhet kompromisi. Na duhet të flasim me njëri-tjetrin. Na duhet mundësia për ta përballuar në mënyrë diplomatike këtë konflikt, jo me dhunë. Kjo është një punë që çdo parlamentar e ka të qartë. Për të cilën edhe është angazhuar, por për të cilën dhe duhet të kontribuojë”, theksoi ai.
Sobotka tha se “ju keni dhe një shembull nga Austria që është Tiroli i Jugut. Ka qenë si puna e Kosovës. Ka qenë gjithmonë gjermanishtfolëse dhe pjesë e Austrisë dhe prapë së prapë sot është një vend, i cili është shumë i suksesshëm nga pikëpamja ekonomike, por është pjesë e Republikës italiane dhe është shumë mirë që është kështu, sepse ne jemi të bashkuar në BE”.
Sipas tij, “plagët e hapura duhet të shërohen edhe duke marrë medikamentet e duhura dhe jo duke i gërryer gjatë gjithë kohës”.
“Prandaj do më lejoni që t’ju adresoj edhe një lutje dhe të kërkoj dhe kontributin tuaj në zgjidhjen e këtij dialogu”, theksoi Sobotka./ (27 qershor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.