Në Tiranë, nisi edicioni i dhjetë i Shkollës së Integrimit Evropian që mbledh përfaqësues nga administrata, organizatat jofitimprurëse, biznesi, media dhe universitetet. Ata gjatë një jave do të kenë mundësi të njihen më shumë me politikat dhe institucionet e BE-së, si dhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke kontribuar aktivisht në të.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në ceremoninë e çeljes së shkollës, theksoi se ruajtja e ritmit të reformave mbetet thelbësore për arritjen e objektivit të Shqipërisë të mbylljes së kapitujve të negociatave brenda vitit 2027.
Ambasadori vuri në dukje rëndësinë e administratës publike në këtë proces.
“Tani është koha që Shqipëria ka nevojë për ju. Vendi juaj do të ketë nevojë për ekspertizën, aftësitë dhe dijen tuaj. Efektiviteti i këtyre negociatave varet nga prania e mjaftueshme e stafit të kualifikuar dhe të motivuar në të gjitha institucionet kyçe. Investimi te njerëzit është thelbësor për të ndërtuar një shërbim civil profesional, të qëndrueshëm dhe të aftë, i gatshëm të përmbushë angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së. Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar të mbështesë Shqipërinë, duke siguruar që ajo të ketë strukturat, aftësitë dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të përmbushur angazhimet e saj ndaj BE-së”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Sipas ambasadorit Gonzato, Shqipëria hyn në një fazë thelbësore të procesit të anëtarësimit që vijon pas çeljes së të gjithë grup-kapitujve.
“Ja pse raporti shprehet se Shqipëria duhet të ruajë e madje të përshpejtojë ritmin e këtyre reformave. Kjo është e nevojshme nëse Shqipëria duhet të përmbushë objektivin e vet ambicioz për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, shtoi Gonzato.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi nga ana e vet vlerësoi rëndësinë e shkollës së integrimit evropian duke sjellë si argument se edicionii sivjetshëm ka tërhequr rekord aplikimesh, 430 aplikime, 2 herë më shumë se vitin e kaluar.
Peleshi theksoi se, rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE është aspiratë kombëtare e kahershme. “Jemi duke punuar çdo ditë për ta bërë realitet anëtarësimin. Ky progres na mbush me optimizëm por njëkohësisht na kujton përgjegjësinë që kemi përpara”, tha ai.
Edicioni i 10-të i Shkollës së Integrimit Evropian organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”. (11 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
