Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë çeli sot garën për ndërtimin e hekurudhës, e cila lidh Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin Shqipëria ndan historinë, traditat e përbashkëta dhe aspiratën e e madhe për t’u bërë sa më parë anëtarë të BE-së.
Bashkimi Evropian ka dhënë për këtë projekt grantin e tij më të madh ndonjëherë për Shqipërinë, 136 milionë euro.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi në ceremoninë për çeljen e garës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato se kjo hekurudhë e bën Shqipërinë pjesë të korridoreve paneuropianë.
Balluku theksoi se ndërtimi i kësaj linje ka ndikim jo vetëm në zhvillimin ekonomik e social të vendit por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i prokurimit nisi në prani të përfaqësuesve të BEI-së, BERZH-it.
Ky projekt do të rehabilitojë 120 km linjë hekurudhore dhe modernizojë 12 stacione trenash, instalojë sisteme sinjalizuese moderne dhe përmirësojë masat e sigurisë, promovojë transportin miqësor ndaj mjedisit me një hekurudhë elektrike, duke reduktuar emetimet dhe duke ofruar një alternativë më të gjelbër për mallrat dhe pasagjerët.
“Duke rehabilituar këtë linjë hekurudhore, ne po lidhim Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit dhe BE-së. Ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar mundësi të reja për bizneset dhe njerëzit. Hekurudha e rehabilituar është gjithashtu një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër. BE-ja vazhdon të mbështesë Shqipërinë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe lidhjes rajonale”, tha mes të tjerash ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Hekurudha pritet të ketë 12 ura dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës me gjatësi 320 m. Shpejtësia e kësaj linje hekurudhore parashikohet 120 km/h. Në bazë të studimit të fizibilitetit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, rruga nga Vora në Han të Hotit do të përshkohet për 2 orë mesatarisht. Nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor prej 2,3 milionë pasagjerësh dhe 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit. (20 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.