BE miraton marrëveshjen mes Frontex dhe Shqipërisë
Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), që do të lejojë organizimin e operacioneve të përbashkëta dhe vendosjen e ekipeve të menaxhimit të kufirit të Frontex në Shqipëri. Falë marrëveshjes, Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në menaxhimin e flukseve migratore, luftën kundër imigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar.
Kjo marrëveshje do të zëvendësojë marrëveshjen aktuale mes Shqipërisë dhe Frontex, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2019.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi nënshkroi këtë qershor me kreun e Frontex, Hans Leijtens Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Mekanizmat e Ankesave për veprimet e kryera nga anëtarët e ekipeve të këtij misioni në Shqipëri.
Duke e cilësuar FRONTEX histori suksesi, Çuçi vuri në dukje se Shqipëria si vend tranzit luan një rol të rëndësishëm për t’i prerë rrugën flukseve migratore nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe kontribuon aktivisht në sigurinë e kufijve të BE-së./ (11 shtator)
Rama: Të jesh në autobusin e BE-së është më e sigurt se në avionin rus
Kryeministri Edi Rama komentoi refuzimin e Komisionit Evropian lidhur me idenë e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel për zgjerimin e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
Ai e krahasuar BE-në me një autobus ku udhëtimi mund të jetë i ngadaltë dhe destinacioni i largët, por në fund ai është i sigurtë.
“Ashtu si janë punët sot, të jesh në autobusin e Bashkimit Europian, madje edhe pa një ndenjëse, është më e sigurt se të jesh në një avion rus, pasi udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë shumë i largët. Por, një gjë është e sigurt si vdekja: autobusi nuk do të përplaset kurrë”, tha Rama.
Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik i Shqipërisë, ndërsa vendi ka hyrë në fazën screening pas hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvilluan më 19 korrik 2022 Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel, që shënoi hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e Tiranës në Bashkimin Evropian./ (11 shtator)
Soreca: BE qëndron me vendosmëri pranë Shqipërisë
Ambasadori Luigi Soreca, i ngarkuari me punë ad interim u takua me ekipin e delegacionit të BE-së ndërsa nisi të drejtojë delegacionin deri në mbërritjen e shefit të ri të delegacionit, gjatë muajve të ardhshëm. Ai e cilësoi nder dhe një privilegj të jetë përsëri në Tiranë në këtë moment veçanërisht të rëndësishëm për zgjerimin e BE-së dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si dhe në të njëjtën kohë me samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit në Tiranë.
“Bashkimi Evropian qëndron me vendosmëri pranë Shqipërisë në konsolidimin e progresit të arritur, thellimin e transformimit të vendit dhe nxitjen e reformave të rëndësishme që do ta sjellin Shqipërinë në BE”, tha ambasadori Soreca.
Ambasadori Luigi Soreca drejtoi delegacionin e BE-në në Tiranë prej vitit 2018 për rreth katër vjet. Ai u pasua në këtë detyrë nga ambasadorja Christiane Hohmann./ (11 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.