Dita e Evropës në Tiranë u shenjua edhe nga koncerti i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, një platformë për muzikantët e rinj që punojnë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore.

Koncerti i mundësuar nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri solli në Tiranë muzikantë të rinj nga gjithë rajoni.

Violinë e parë ishte Marta Dettlaf e cila ka lindur në Gdansk të Polonisë, një qytet i pasur me kulturë, histori dhe i njohur më së shumti nga romani “Daullja prej llamarine”, e fituesit gjerman të çmimit Nobel, Günter Grass.

“Ne lidhemi përmes muzikës dhe ndonëse nuk flasim gjuhët e njëri-tjetrit, mund të komunikojmë përmes muzikës. Më dukej e mrekullueshme ideja e lidhjes së të gjitha këtyre vendeve pa përjashtim. Ne vijmë nga realitete të ndryshme, por tani po ndërtojmë diçka së bashku, diçka më të madhe”, thotë Marta, ndërsa violina e saj luan pjesë të kompozitorëve shqiptarë.

“Në fillim isha skeptike, për shkak të historisë. Nuk kam pasur miq nga Kosova, Serbia apo Shqipëria. Por më pas takon artistë nga këto vende dhe kupton se jemi të njëjtët njerëz dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të gjithë ne i përkasim një brezi të ri dhe duhet të krijojmë një histori të re. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, thotë Teodora Uskokovic, një muzikante nga Mali i Zi që luan violonçel me orkestrën.

Koncerti i Ditës së Evropës shënoi një hap të veçantë në rolin e kulturës për të krijuar ura. Artistë të rinj nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Holanda dhe Spanja ishin në të njëjtën skenë, duke luajtur një program që kremtonte diversitetin e Evropës dhe Ballkanit./ (7 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.