“U befasova kur mësova se si panelet diellore mund të ndryshojnë qasjen tonë ndaj mjedisit dhe ekonomisë. Nuk e dija që panelet diellore jo vetëm që mund të justifikojnë kostot e blerjes, por përdorimi i tyre është edhe ekologjik. Edhe ne, mund të kemi një ndikim të vogël pozitiv në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe kjo është e rëndësishme”, thotë Marinela Tafa, një nxënëse 17-vjeçare e shkollës së mesme “Charles Telford Erickson” në Kavajë, 50 kilometra në jugperëndim të Tiranës.
Ajo është një nga 23 nxënësit e shkollës që kanë marrë pjesë në trajnime dhe seminare mbi sistemet e energjisë së rinovueshme dhe kursimin në konsumin e energjisë. Ndërsa ndërtesa u rindërtua falë mbështetjes së programit “BE për shkollat”, programi “BE për bashkitë” mbështeti instalimin e paneleve diellore në tarracën e shkollës së arsimit profesional bujqësor “Charles Telford Erickson”, përuruar pak javë më parë.
Drejtoresha e shkollës, Matilda Çanaku, sqaron se panelet diellore do të ulin konsumin e energjisë së objektit me 90%. “Deri tani, pothuajse 20% e buxhetit tonë vjetor shpenzohej për energji. Pas vendosjes së paneleve diellore do të shpenzojmë më pak energji dhe më pak para për energji, duke e shfrytëzuar buxhetin për nevoja të tjera në shkollë”, thotë ajo.
“Vendosja e paneleve diellore në shkollën e mesme profesionale në Kavajë do të mbulojë rreth 90% të nevojave të shkollës për energji ose rreth 450.000 lekë/vit në vlera monetare. Sasia e dyoksidit të karbonit të reduktuar nga instalimi i paneleve diellore do të jetë 12 tonë CO2 në vit”, sipas përllogaritjeve të Meivis Strugës nga Instituti i Menaxhimit Mjedisor dhe Territorial (ETMI), një organizatë që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm dhe mjedisin.
170 nxënës dhe mësues të shkollave përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo nismë për efiçencën e energjisë në Kavajë, duke krijuar shtigje të reja drejt burimeve të ardhshme të energjisë. Projekti kontribuon për përmirësimin e shërbimeve bashkiake përmes avancimit të agjendës së gjelbër të BE-së dhe trajtimit të ndryshimeve klimatike në bashkinë e Kavajës.
“Duke përqafuar këto përparime, jo vetëm që zbusim ndikimin mjedisor, por gjithashtu hapim rrugën për rritje ekonomike dhe mirëqenie shoqërore. Qeveritë vendore luajnë një rol kryesor në këtë tranzicion, pasi ato mbikëqyrin një pjesë të konsiderueshme të emetimeve dhe kanë fuqinë për të zbatuar politika me ndikim. Në nivel global, sipas studimeve të fundit, qeveritë vendore janë përgjegjëse për deri në 70% të emetimeve globale të gazeve serrë dhe mund të reduktojnë potencialisht emetimet me 19% nëpërmjet veprimeve efektive klimatike dhe masave për eficencën e energjisë”, thekson Elton Stafa nga programi “BE për bashkitë” në Shqipëri.
Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, theksoi se projekti ka qenë një mundësi unike për t’u angazhuar me studentët dhe fermerët për rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndërtimin e aftësive për sistemet e energjisë së rinovueshme, ujitjen inteligjente dhe menaxhimin e ujit. “Ai kontribuon në zhvillimin dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër të bashkisë, duke reduktuar emetimet e karbonit, duke ofruar një mjedis më të shëndetshëm për komunitetet, si dhe duke reduktuar shpenzimet bashkiake për energji, për t’u shndërruar në investime strategjike dhe të zhvillimit të qëndrueshëm” , shtoi ai.
Ndonëse kjo është e vetmja shkollë që është pajisur me panele diellore nga programi “BE për bashkitë”, 63 shkollat e rindërtuara nga programi “BE për shkollat” janë projektuar me synimin për t’i dhënë përparësi eficencës së energjisë.
“Kjo përfshin përdorimin e materialeve me performancë të lartë për të siguruar objekte me efiçencë energjetike. Materiale të tilla përfshijnë dritare me xham të dyfishtë dhe ndriçim LED si për sistemet e brendshme ashtu dhe të jashtme, si dhe sisteme të ngrohjes dhe ftohjes me efiçencë energjie. Gjithashtu, të gjitha ndërtesat me kërkesë të lartë për ujë të ngrohtë, si çerdhet, kopshtet dhe konviktet, janë të pajisura me panele diellore për furnizim me ujë të ngrohtë. Disa objekte janë pajisur edhe me panele fotovoltaike (PV) për prodhimin e energjisë, ndërsa shumica e objekteve të tjera kanë instalime të gatshme për instalimin e paneleve PV në të ardhmen”, thotë Sokol Muçogllava, inxhinier i programit “BE për shkollat”.
BE për shkollat
“BE për shkollat” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian në përgjigje të procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Programi po zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Ai synon të mbështesë qytetarët shqiptarë në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura, konkretisht: Krujë, Durrës, Kurbin, Kamëz, Kavajë, Tiranë, Mirditë, Lezhë, Rrogozhinë, Shijak dhe Vorë, në fushën e arsimit. Programi synon më shumë se 60 objekte arsimore, me pothuajse më shumë se 1 milion përfitues, nga të cilët 24.000 janë studentë dhe mësues.
BE për bashkitë
“BE për bashkitë” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian që synon të nxisë potencialin e zhvillimit të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve vendore në Shqipëri. Ai mbështet zhvillimin e infrastrukturës vendore duke ofruar shërbime publike më të mira dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik vendor. Gjithashtu, një nga objektivat e projektit është të mbështesë proceset strategjike dhe t’u mundësojë aktorëve të qeverisjes vendore të mobilizojnë burimet për të zbatuar planet dhe strategjitë e tyre, duke i dhënë përparësi zhvillimit të komuniteteve vendore, përmirësimit të qeverisjes dhe rrjedhimisht, cilësisë së jetës së qytetarëve. Ky program zbatohet bashkërisht me NALAS, Co-PLAN, SDC./ (22 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.