Menaxhimi i financave publike në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe për aksesin në fondet e BE-së.
Ministria shqiptare e Financave, në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve dhe delegacionit të Bashkimit Europian, prezantuan Raportin e Vlerësimit të Performancës lidhur me Llogaridhënien për Shpenzimet dhe Financat Publike (PEFA) për Shqipërinë.
Ky vlerësim ofron një analizë të thelluar të performancës së sistemit të menaxhimit financiar publik në vend. Gjithashtu, shërben si një mjet i rëndësishëm për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në menaxhimin e financave publike, duke kontribuar në avancimin e reformave të vazhdueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Raporti tregon përparime në procesin e buxhetimit, procedurat e investimeve publike dhe auditimin e brendshëm. Përmirësimet në raportimin financiar të konsoliduar, përfshirë ndërmarrjet shtetërore dhe menaxhimin e aseteve publike, mbeten ndër sfidat kryesore.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi se gjetjet dhe rekomandimet e raportit PEFA duhet të merren parasysh teksa qeveria vijon me zbatimin e reformave në këtë fushë.
Në paraqitjen e raportit ishin të pranishëm zëvendësministrja shqiptare e Financave, Erjona Çela (Bejleri) si dhe përfaqësues nga partnerët kryesorë për zhvillim, organizatat e shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të përfshira në këtë proces vlerësimi.
Çela tha se Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të vijuar bashkëpunimin në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e menaxhimit financiar publik.
Shefi i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Europian, Andre Rizzo theksoi që këto rezultate tregojnë një përmirësim të përgjithshëm në fushën e financave publike dhe shërbejnë si një tregues pozitiv i përpjekjeve dhe angazhimit të Shqipërisë në përmirësimin dhe thellimin e reformave
Zhvillimet kryesore përfshijnë ekzekutimin e qëndrueshëm të buxhetit me devijime minimale, një proces të mirëstrukturuar buxhetor i mbështetur nga planifikimi fiskal afatmesëm, kontrolle të forta të brendshme financiare dhe organizimin e auditimit, administrim efikas të taksave, menaxhim efektiv të borxhit dhe likuiditetit, si dhe objektiva të qarta për shërbimet publike me tregues performancë të matshëm. (18 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.