2023 viti i Vjosës si Park Kombëtar

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro në prezantimin e bilancit të punës për vitin 2022 dhe pritshmëritë për këtë vit, tha se “viti 2022 shënoi rritjen e numrit të zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë nga 17,5 % në 21,3 %, pas një periudhe dyvjeçare të studimit të gjithë territorit, i cili që nga mesi i viteve 1980 nuk kishte njohur një përditësim të zhvillimeve dhe ndryshimeve që ka pësuar territori për mbrojtjen e pasurive natyrore”./ (23 janar)

4,6 milionë turistë në zonat e mbrojtura

Kumbaro tha se “sfida jonë në kuadër dhe të angazhimeve të nismave ndërkombëtare është që sipërfaqja e zonave të mbrojtura të arrijë në 30% të territorit brenda vitin 2023”.

“Ne kemi nisur me krijimin e disa parqeve të reja natyrore dhe kombëtare siç është Parku natyror i Luginës së Vjosës apo krijimi parkut natyror Alpet e Shqipërisë, që dyfishoi sipërfaqen e zonave të mbrojtura në veri të Shqipërisë, krijimi i parkut natyror “Syri i Kaltër” me sipërfaqe 290 hektarë, Parku i Munellës dhe krijimi i parkut të Porto Palermos”, u shpreh Kumbaro.

Ajo shtoi se “zgjerimi i zonave të mbrojtura ka rritur dhe fluksin e vizitorëve, që shënoi 4,6 milionë të tillë në këto zona gjatë vitit 2022″.

“Vjosa do të shpallet me statusin më të lartë të mbrojtjes duke e kthyer atë në një pasaportë të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së natyrës. Shpallja e një lumi të egër park kombëtar është i pari i këtij lloji në Europë”, tha Kumbaro.

Sipas saj, gjatë vitit 2022 janë hartuar dhe përgatitur planet e menaxhimit për 10 zona të mbrojtura që kontribuojnë së një zhvillim të kontrolluar dhe të qëndrueshëm.

“Vijmë këtë vit me një projekt të rëndësishëm investimi siç është ai i Ekopark Ulzës, ku përfshihet territori i zonës por edhe HEC i Ulzës dhe Shkopetit, që janë pjesë e zonës”, tha Kumbaro.

Një tjetër rikualifikim i  parkut Tushmisht -Drilon ka filluar në 2022 dhe do të vazhdojë edhe në 2023, ndçërkohë që rikualifikimi i ujërave termalë të Bënjës është një tjetër prioritet për vitin 2023./ (20 janar)

Sistem i biletarisë elektronike në zonat e mbrojtura

“Gjithashtu sistemi i biletarisë elektronike në zonat e mbrojtura është një tjetër projekt që u zbatua në Kuje Vain, Syrin e Kaltër, ndërkohë që e kemi gati edhe për parkun e Divjakës me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh ministrja.

Kumbaro theksoi se “Vjosa Park Kombëtar është kryefjalë e vitit 2023. MTM ka vendosur ta quajë 2023-shin vitin e Vjosës. Kemi mbaruar studimin e fizibilitetit për lumin Vjosa dhe të gjithë degëve të saj, që do të jenë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës duke përfshihen tetë bashki dhe duke zënë gati 1/3 e territorit të vendit”./ (20 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.