Mesazhi i kryeparlamentarëve: T’i shndërrojmë kufijtë në formalë

Festimi i 110-vjetorit të Pavarësisë kanë bashkuar të dielën në Tiranë deputetët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë si dhe qeveritë përkatëse.

Për herë të parë, Kuvendet e dy shteteve shqiptare u mblodhën në një seancë të përbashkët parlamentare, të bashkëdrejtuar nga kryetarët Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca, që nisi me ekzekutimin e himnit të Kosovës e më pas atij të Shqipërisë.

Ligjvënësit e parlamentit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë u ulën te gjithë bashkë në  sallën e Kuvendit të Shqipërisë duke theksuar në fjalimet e tyre domosdoshmërinë e bashkëpunimit.

Lindita Nikolla, kryetare e parlamentit të Shqipëri dhe homologu nga Kosova, Glauk Konjufca ishin të parët që folën në mbledhjen e parë të përbashkët të dy parlamenteve.

Kryeparlamentarja nënvizoi se ‘’Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike, të respektuara me miq dhe aleatë të mëdhenj SHBA-të dhe BE me aspiratë integrimin drejt Brukselit’’.

Nikolla theksoi se ‘’Shqipëria dhe Kosova si dy etnitete politike të shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’i shndërruar kufijtë shtetërorë mes dy vendeve, por edhe me vendet fqinje, në kufij formalë’’.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se ‘’28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri dhe dashurinë për kombin tonë’’.

Konjufca u shpreh se sa më afër të jenë Shqipëria dhe Kosova, aq më e lehtë është mbrojtja e  interesave të kombit tonë./ (27 nëntor)

Shqipëri-Kosovë me projekte të përbashkëta

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti folën dhe për projektet konkrete që janë jetësuar falë marrëveshjeve të firmosura në 8 mbledhjet e përbashkëta të 2 qeverive.

“Në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm ne do të jemi në kantier, në portin e ri të Porto Romanos. Në 12 Dhjetor, unë shpresoj që të na bashkohen në prezantimin e madh publik të projektit përfundimtar”, ka thënë Rama.

Rama shprehu besimin se njohja e përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë.

Por në këtë ditë të madhe për të dy shtetet, Rama u shpreh se dy janë personat të cilët i mungojnë kësaj panorame, brahim Rugova, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçi, një tjetër i munguar i madh sot, në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, me një mision që vazhdon.

Kryeministri Kurti tha se “kemi tashmë abetaren e përbashkët dhe po punohet për fjalorin e përbashkët. Kemi financuar së bashku fizibilitetin për hekurudhën Durrës-Prishtinë e cila do ta lidhë Durrësin, Portin e Shqipërisë dhe Kosovës me Portin e Thatë në Prishtinë”.

Kurti vuri theksin në rëndësinë e të qenurit më shpesh bashkë “jo vetëm në festa, jo vetëm politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, të pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”.

Mazhoranca ka propozuar që mbledhja e radhës mes dy parlamenteve të mbahet në 10 qershorin e vitit të ardhshëm për të festuar së bashku 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit./ (27 nëntor)

Dua Lipa shtetësinë shqiptare

Presidenti Bajram Begaj i dha të dielën shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë nga Kosova, e famshme tashmë në të gjithë botën.

Begaj tha se në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetit shqiptar dhe na bëjnë krenarë.

Një artiste si Dua Lipa, theksoi ai, është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip.

Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa u lind në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Dua Lipa përmbyllë turin e saj botëror “Future Nostalgia” me një koncert falas në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në ditën e pavarësisë./ (27 nëntor)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATA në lidhje me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.